Një nga synimet kryesore të vizitës së paparalajmëruar të Presidentit Bush në Irak të hënën bashkë me Sekretaren e Shtetit dhe Sekretarin e Mbrojtjes, si edhe komandantë të lartë ushtarakë, ishte të nxiste udhëheqësit irakianë në rrugën e gjatë drejt pajtimit kombëtar. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Al Pessin ishte në bazën ajrore ku u mbajt takimi dhe përgatiti këtë material.
Për takimin më të rëndësishëm të udhëtimit, Presidenti Bush u ul në një tryezë të madhe konferencash së bashku me sheikë suni me veshje tradicionale pranë tij. Udhëheqësit e lartë irakianë nga Bagdadi u ulën në anën tjetër të tryezës dhe zyrtarët e provincave dhe ushtarakë në skajet e saj.
Meqenëse nuk kishte më vend në tavolë, Sekretarja e Shtetit dhe Sekretari i Mbrojtjes, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare dhe disa ushtarakë të lartë u ulën pas tij. U desh që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të shkonte atje, që sunitë, shiitët dhe kurdët të mblidheshin në një dhomë së bashku.
Mesazhi i Presidentit ishte që ata duhet të punojnë së bashku megjithë prejardhjet e ndryshme dhe mosbesimin e rrënjosur për njëri-tjetrin. “Ata janë këtu në Anbar sepse e dinë që suksesi i një Iraku të lirë varet nga mbështetja për qeverinë kombëtare nga baza. Ata e dinë, ashtu si edhe unë se kur realizohet pajtimi në shkallë lokale si këtu në Anbar, do të sjellë si rezultat veprimin e qeverisë qendrore”. Më pas Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates foli për një debat që u zhvillua në takim ku disa udhëheqës fisnorë shprehën habi për përpjekjet që po bën qeveria qendrore si ndarja e të ardhurave të naftës me provincën e tyre. “Mendoj se kishte një frymë pozitive mes elementeve të ushtrisë, guvernatorëve lokalë, sheikëve dhe udhëheqësve kombëtarë, kishte një qëllim të përbashkët. Kishte gjithashtu edhe një debat pozitiv për ndarjen e burimeve”. Çështja mbetet nëse udhëheqësit irakianë do të vazhdojnë të punojnë së bashku, edhe kur Presidenti Bush të mos jetë aty.
Zyrtarët amerikanë thonë se është thelbësore që të konsolidohen arritjet e realizuara nga rritja e forcave amerikane dhe strategjia kundër kryengritjes. Presidenti Bush, Sekretari Gates dhe zyrtarë të tjerë thanë se këto ndryshime arritën të bindin udhëheqësit fisnorë të Anbarit që të ndalnin luftimet kundër Shteteve të Bashkuara dhe forcave irakiane dhe të bashkoheshin me ta për të luftuar kundër al-Kaidës. “Sot u tha hapur për herë të parë se popujt e Lindjes së Mesme arritën ta shohin se çfarë do të thoshte sundim nga al-Kaida dhe irakianët e kundërshtuan këtë sundim”. Një zyrtar i lartë që udhëtonte me Sekretarin e Mbrojtjes Gates dhe që nuk deshi të identifikohej e kishte quajtur ndryshimin e qëndrimit të sheikëve fisnorë “të papritur”.
Por zyrtarë të tjerë, përfshirë Presidentin Bush, e hodhën poshtë më pas këtë cilësim, duke thënë se rritja e numrit të trupave në provincën Anbar para disa muajsh ishte realizuar pjesërisht për të bindur udhëheqësit fisnorë se koalicioni ishte i përkushtuar për të mposhtur al-Kaidën.
Tani, thonë zyrtarët amerikanë, i takon qeverisë irakiane ta çojë përpara procesin e pajtimit kombëtar, në Anbar dhe zona të tjera, për të krijuar më shumë siguri dhe qëndrueshmëri, duke i hapur kështu rrugën tërheqjes së trupave amerikane. Shumë anëtarë të Kongresit po bëjnë thirrje që tërheqja të fillojë deri në fund të vitit, por komandantët në terren kanë thënë se do të ishte shumë shpejt.
Presidenti Bush tha dje se nëse kjo prirje vazhdon, do të ishte e mundur që të realizohej tërheqja, por nuk tha se kur. Ai pritet që të japë më shumë hollësi në këtë drejtim pas raportimeve në Kongres javën e ardhshme nga ambasadori amerikan në Irak Ryan Crocker dhe kryekomandanti ushtarak amerikan atje, Gjeneral David Petraeus. //rd//