Lidhje

Britania shënoi 10 vjetorin e vdekjes së Princeshën Diana


Britania shënoi 10 vjetorin e vdekjes së Princeshën Diana në një aksident automobilistik në Paris. Djemtë e Dianës, princat William dhe Harry, organizuan ceremoninë në kishën Guard në afërsi të Pallatit Buckingham. William kujtoi nënën e tij me një lexim biblik. Vëllai i tij i vogël, princi Harry dha kujtimet e tij personale për të. Mbretëresha Elisabetë, ish bashkëshorti i Dianës, Princi Çarls dhe rreth 500 të ftuar të tjerë morën pjesë në shpërbesë. Arkipeshkvi i Kanteburit, Rovan William mbajti një lutje duke shprehur falenderime për gadishmërinë e princeshës për të ndihmuar të varfërit. Ndër të ftuarit ishte edhe kryeministri Gordon Brown dhe pararendësi i tij Tony Blair. Turma njerëzish u grumbulluan në një park aty pranë duke vendosur buqeta, portrete dhe poezi në kangjellat e ish shtëpisë së saj në Pallatin Kesington. Korrespondenti Tom Rivers njofton nga Londra.

Shërbesa përkujtimore u zhvillua në Kishën Guard në afërsi të Pallatit Buckingham. I gjithë programi i organizuar nga djemtë e Dianës, William dhe Harry ishte nderim për shpirtin e gruas që ndryshoi fytyrën e monarkisë.

Duke iu drejtuar 500 të ftuarve, princi Harry, me tone emocionale, kujtoi nënën e tij si një grua plot jetë, me humor dhe ngrohtësi. Por ai tha se Diana kishte gjithashtu anën e saj serioze si një bamirëse e palodhur që kërkonte të ngrinte ndërgjegjësimin për Sidën dhe minat e nëndheshme.

“Ajo do të kujtohet gjithmonë për punën e saj të shkëlqyer në shërbim të publikut. Por prapa shkëlqimit verbues të medias për ne, dy fëmijët e saj të dashur, ajo ishte thjesht nëna më e mirë në botë”.

Harry 22 vjeçar, dhe vëllai i tij i madh William 25-vjeç, mendojnë për nënën e tyre çdo ditë dhe vlerat që ajo solli në jetët e tyre.

“Ajo na bëri ne dhe shumë njerëz të tjerë të lumtur. Le të jetë kjo mënyra për ta mbajtur mend atë”.

Diana njihej si princesha e popullit, dhe kjo njohje u pa përsëri në banesën e saj në Pallatin Kensington.

Si në çdo përvjetor tjetër vdekjeje, buqeta me lule u vendosën në kangjellat e pallatit në shenjë respekti.

Princesha mund të jetë larguar për një dekadë tani, por interesimi për të nuk tregon venitje. Në tetor Diana do të jetë përsëri në artikujt kryesorë kur të hapet dosja e mjekut ligjor.
XS
SM
MD
LG