Lidhje

GNK: Evropa rrezikon të përballet me një konflikt të ri të përgjakshëm e destabilizues nëse nuk zgjidhet statusi i Kosovës


Evropa rrezikon të përballet me një konflikt të ri të përgjakshëm e destabilizues në qoftë se Bashkimi Evropian dhe vendet e tij anëtare nuk pranojnë përgjegjësinë kryesore për t’i dhënë Kosovës pavarësinë e mbikqyrur deri në prill ose maj të vitit të ardhshëm. Kështu shprehet në një raport të ri Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Në raportin me titull, “Kapërcimi i Ngecjes në Çështjen e Kosovës: Përgjegjësi e Evropës”, Grupi Ndërkombëtar i Krizave shqyrton rolin kryesor të Bashkimit Evropian në sigurimin e daljes së sigurtë të Kosovës nga gjendja e tanishme pezull si një protektorat ndërkombëtar. Strategjia e preferuar që Kosovës t’i jepej pavarësia e mbikqyrur nëpërmjet Këshillit të Sigurimit i OKB-së dështoi, pasi Rusia kërcënoi t’i vinte veton çdo rezolute të tillë. Një raund i ri negociatash midis Prishtinës dhe Beogradit ka shumë të ngjarë që të mos japë asnjë rezultat. Një gjendje e tillë bën që Bashkimi Evropian të përballet me një konflikt të ri të dhunshën në Ballkan me më shumë pasoja për të, para se të meren vendime të rëndësishme.

“Bashkimi Evropian ka në dorë një bombë me sahat”, tha drejtori i Zyrës së Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën, Aleksandër Anderson. “Sa më parë që Bashkimi Evropian ose një shumicë e vendeve anëtare deklarojnë gadishmërinë e tyre për të mbështetur një Kosovë të pavarur, aq më të mira janë shanset për parandalimin e një katastrofe”.

Prishtina dhe Beogradi filluan një raund tjetër bisedimesh 120 ditëshe nën mbikqyrjen e 6 vendeve të Grupit të Kontaktit. Por Serbia nuk do të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe do të përpiqet të shkaktojë shtyrje pa fund, duke krijuar bazën e ndarjes destabilizuese të Kosovës, thuhet në raportin e GNK-së. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të ruajnë integritetin e Planit Ahtisari, i hartuar nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithëm i OKB-së, pas negociatave të vështira një vjeçare.

Shtetet e Bashkuara kanë përgjegjësi të konsiderueshme. Amerikanët duhet ta shoqërojnë retorikën e tyre të fortë për pavarësinë e Kosovës me hapa më në përputhje me këtë objektiv dhe të përdorin ndikimin e tyre të pashembullt tek shqiptarët e Kosovës për të siguruar bashkëpunimin e tyre konstruktiv në muajt e ardhshëm sensitivë, thuhet në raportin e fundit të organizatës.

Deri më 10 dhjetor, në qoftë se nga bisedimet shtesë nuk del një zgjidhje, ashtu siç ka shumë të ngjarë të ndodhë, BE-ja, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja duhet të jenë gati të fillojnë hapat e kordinuara me qeverinë e Kosovës për të zbatuar esencën e planit Ahtisari, duke përfshirë edhe periudhën kalimtare 120 ditëshe, që parashikohet në të.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave thekson se kjo periudhë duhet shfrytëzuar për të siguruar njohjen e Kosovës si një shtet me pavarësi të mbikqyrur nga shumë qeveri; për të miratuar dhe zbatuar një ligj për formimin e shtetit dhe institucionet përkatëse të parashikuara nga plani Ahtisari. Ndërkohë, qeveria e Kosovës duhet të ftojë Bashkimin Evropian dhe NATO-n të marrin përgjegjësi të reja dhe këto organizata ta bëjnë një gjë të tillë. Gjithashtu Misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK-u, duhet të tërhiqet në mënyrë të organizuar dhe në prill ose maj të vitit 2008, Kosova duhet të gëzojë pavarësinë me kushte nën mbikqyrjen e Bashkimit Evropian e të NATO-s.

Nuk është e nevojshme që të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ta njohin Kosovën gjatë periudhës kalimtare ose deri në prill të vitit të ardhshëm, thuhet në raportin e ri të GNK-së, por dështimi për të arritur një qëndrim të përbashkët në mbështetje të pavarësisë me kushte të Kosovës do të diskreditonte politikën e jashtme e strategjinë e sigurimit evropian të BE-së si dhe do të kishte pasoja të rënda për Evropën.

“Fatkeqësisht, Evropa dështoi gjatë shpërbërjes së ish Jugosllavisë në vitet 1990-të. Tani asaj po i jepet një shans i dytë për të treguar se mund të jetë një lojtar i efektshëm në Ballkan, tha Sabina Freizër, drejtoreshë e Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Evropën. “Nëse Evropa tregon përsëri paaftësi për të vepruar, është thuajse e sigurtë se një gjë e tillë do të çojë në gjakderdhje dhe shpërthimin e një kaosi të ri rajonal në Evropën qëndrore dhe lindore me valë refugjatësh dhe rrjete më të forta të krimit të organizuar”. //ze//

XS
SM
MD
LG