Lidhje

Terapia e zëvendësimit të hormoneve rrit rrezikun e kancerit të gjirit


Në vitin 2002, një studim mes miliona grave amerikane tregoi se terapia e zëvendësimit të hormoneve gjatë menopauzës rrit rrezikun e kancerit të gjirit, të bllokimit të arterieve dhe paralizave. Pas këtij lajmi shumë gra e ndërprenë këtë terapi. Tani një studim i ri ka konfirmuar se kur gratë ndërprenë marrjen e hormoneve, numri i rasteve me kancer gjiri u pakësua.

Studimi i botuar në numrin e gushtit të Revistës së Institutit Kombëtar të Kancerit tregon se çfarë ndodhi pasi shumë gra ndërprenë terapinë e zëvendësimit të hormoneve. Rezultatet u bënë të dukshme kur miliona gra bënë mamografinë e përvitshme. Dr. Karla Kerlikowske është autore e studimit. “Nëse gjithkush kontrollohet rregullisht, do të thotë që nuk duhet të ketë ndryshim në numrin e rasteve. Ky numër nuk duhet të ndryshojë me kalimin e kohës, përveç rastit kur diçka ndodh mes popullsisë që ndryshon faktorin e rrezikshmërisë”. Të paktën 16 mijë gra që i nënshtrohen terapisë me hormone morën pjesë në studimin e rëndësishëm që u krye gjatë një periudhe disa vjeçare nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë. Në vitin 2002, studimi u ndërpre kur u arrit në përfundimin se kishte një lidhje mes kurës me hormone dhe kancerit të gjirit.

Mjekët dhe pacientet e morën mesazhin. Përdorimi i Terapisë me hormone, një kombinim i estrogjenit me proxhestinën, ra 38 për qind një vit më pas. Tani një studim i ri nga Instituti Kombëtar i Kancerit përforcon efektet e heqjes dorë nga terapia me hormone. Ja ç’thotë Dr. Kerlikowski: “Dalluam një rënie të agjentit që shkakton kancerin e gjirit dhe në përhapjen e metastazave të tij në pjesë të tjera të trupit, si edhe të kancerit pozitiv shkaktuar nga estrogjeni”. Rënia prej 13 për qind në numrin e rasteve me kancer do të thotë që çdo vit diagnostikohen 17 mijë më pak raste të tilla. Studimi është bazuar tek të paktën 600 mijë mamografi gjatë një periudhe 7 vjeçare mes grave të moshave nga 50 deri në 69 vjeç.

Ndërsa studimi i fundit vërteton marrëdhënien mes përdorimit të hormoneve dhe kancerit të gjirit, Dr. Kerlikowske thotë se ai gjithashtu paraqet më shumë pikëpyetje edhe për pacientët. “Nëse ndalon marrjen e hormoneve, a do të thotë se tumoret tkurren krejtësisht dhe sëmundja eliminohet? A do të thotë se nuk rriten më, apo se përhapen më ngadalë dhe dallohen më vonë?” Megjithëse ka pasur studime të shumta në fushën e kancerit të gjirit, ekspertët e shëndetit të grave thonë se ky është studimi i parë që bën lidhjen mes mamografisë, terapisë me hormone dhe kancerit të gjirit. //rd//

XS
SM
MD
LG