Lidhje

Çeku: Pavarësia e Kosovës çështje e kryer që nuk mund të negociohet me Beogradin


Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, tha sot se çështja e statusit të Kosovës nuk mund të bisedohet me Beogradin, sepse kjo është çështje e kryer. Ai tha se Prishtina është e gatshme dhe do të bisedoje me Beogradin për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore. Ai tha se në fund të muajit gusht do të ketë një takim të ri me treshen e Grupit të Kontaktit për të vazhduar bisedimet në të cilat Prishtina do të bisedojë për periudhën pas statusit sepse me Serbinë kjo çështje ka përfunduar në vitin 1999.

“Ne, me palën serbe, kemi dashur të bisedojmë për statusin e Kosovës në Rambouillet. Ata e zgjodhën luftën dhe ishte luftë e tmerrshme, luftuam për Kosovën dhe e fituam luftën. Ne e fituam luftën bashkërisht me bashkësinë ndërkombëtare dhe aq më tepër Serbia e nënshkroi kapitullimin, me nënshkrim të vetin është tërhequr nga Kosova”, tha ai.

Kryeministri Çeku u shpreh i bindur se pas 120 ditë bisedimesh Kosova do të fitojë pavarësinë, ndërsa kjo periudhë duhet të shfrytëzohet për forcimin e konsensusit brenda Bashkimit Evropian, ku ka pasur mëdyshje.

Kryeministri i Kosovës sërish hodhi poshtë çdo mundësi për hapjen e opsioneve tjera për zgjidhjen e statusit, duke nënvizuar se ekipi i unitetit as që ka mandat të negociojë zgjidhje tjetër përveç pavarësisë.

Prishtina zyrtare thekson se pavarësia e mbikëqyrur siç është propozuar nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, është kompromisi që ka bërë Kosova dhe nuk mund të ketë lëvizje nga ky qëndrim.

Beogradi ndërkaq shpreson se në negociatat shtesë do të arrijë të ruajë sovranitetin mbi Kosovën.

Procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës kaloi në duart e Grupit të Kontaktit pas dështimit të Këshillit të Sigurimit për të siguruar një konsensus ndërkombëtarë për shkak të kundërshtimit rus ndaj planeve për t'i dhënë Kosovës pavarësi të mbikëqyrur. //ze//

XS
SM
MD
LG