Lidhje

SHBA: Njut Gingriç, kandidat i mundshëm për në garën presidenciale


Ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Njut Gingriç thotë se do të vendosë deri në tetor nëse do të paraqesë kandidaturën për të marrë emërimin e Partisë Republikane për garën presidenciale.

Zoti Gingriç foli në Klubin Kombëtar të Shtypit ku tha se nëse konkuron, ai do të përpiqet t’i bindë amerikanët se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë për të fituar luftën kundër terrorizmit:

"Mendoj se sfidat me të cilat ndeshet vendi ynë janë më të mëdha se ato të Luftës së Ftohtë, më të mëdha se ato të Luftës së Dytë Botërore dhe më të mëdha se ato të krizës ekonomike të viteve ’30".

Zoti Gingriç ka propozuar që kandidatët presidencialë si ai republikan, ashtu edhe ai demokrat, të pranojnë të marrin pjesë në një seri debatesh të përjavshme duke filluar në shtator të vitit të ardhshëm, në përgatitje për zgjedhjet e nëntorit 2008. Secili nga debatet, thotë ai, duhet të përqëndrohet në një prej çështjeve madhore:

"Mendoj se pjesa më e madhe e amerikanëve e mirëpresin një diskutim të pjekur dhe janë të velur nga procesi i para-përgatitur, i studiuar dhe komercial që ndeshin tani".

Nëntë kandidatë republikanë dhe tetë demokratë kanë filluar garën për të marrë emërimin e partisë së tyre në këtë cikël zgjedhjesh që ka filluar më parë se kurrë ndonjëherë.

Përveç mundësisë që Njut Gingriç të futet në garë, ish-Senatori nga shteti Tenesi Fred Tompson pritet të shpallë zyrtarisht në shtator synimet për të konkuruar si kandidat republikan. Prova e parë e rëndësishme për kandidatët republikanë do të jetë të shtunën në shtetin Ijova, ku republikanët e këtij shteti po zhvillojnë një votim provë për pretendentët. Kjo votë shihet si provë e popullaritetit të kandidatëve dhe aftësive të tyre organizatore.

Ijova luan një rol të rëndësishëm gjithashtu edhe për procesin zyrtar të zgjedhjes së kandidatit republikan nga anëtarët e partisë, pasi në mes të janarit zhvillon zgjedhjet partiake që janë një provë kyçe për konkurentët republikanë dhe demokratë për Shtëpinë e Bardhë.

Anketa e fundit e zhvilluar nga gazeta USA Today dhe organizata Gallup tregon se senatorja Hillari Klinton kryeson në kampin demokrat duke siguruar 48 për qind të mbështetjes, pasuar nga senator Barak Obama me 26 për qind dhe më pas senatori nga Karolina e Veriut Xhon Edwards. Në kampin republikan vazhdon të kryesojë ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Giuliani me 33 për qind të përkrahjes, pasuar nga ish-senatori Tompson me 21 për qind dhe Senatori Xhon McCain me 16 për qind. //rd//

XS
SM
MD
LG