Bashkërenduesi i ekipit te negociuesve të Prishtinës për statusin e Kosovës Blerim Shala tha sot në një intervistë për Zërin e Amerikës se pavarësia e Kosovës, tërësia tokësore e saj dhe propozimi i krye negociatorit janë të padiskutueshme në negociatat shtesë që pritet të fillojnë së shpejti. Zoti Shala tha se katër muajt e ardhshëm janë thelbësorë për Kosovën dhe është me rëndësi që të ruhet qetësia dhe qëndrueshëmria në vend.
Zëri i Amerikës: Zoti Shala, sipas paralajmërimeve në fund të kësaj jave mund të fillojë procesi i ri i negociatave për statusin politikë të Kosovës. Çfarë prisni nga ky proces?
Blerim Shala: Po mendoj që ne duhet të konstatojmë së bashku se nuk kemi të bëjmë me një proces të ri, por më një periudhë shtesë të angazhimit shtesë të Grupit të Kontaktit në përpjekje për të shterë edhe njëherë një mundësi për gjetjen e një zgjidhjeje me të cilën do të pajtoheshin edhe Prishtina edhe Beogradi. Përvoja jonë siç e dini në harkun kohor prej shkurtit të vitit 2006 deri më marsin e këtij viti ka treguar fuqimisht, që këto mundësi nuk ekzistojnë, që qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit janë diametralisht të kundërta dhe ne jemi të bindur se edhe këto përpjekje të reja që do të zgjasin sipas deklaratës së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon katër muaj nuk do të sjellin asgjë të re pra në fund të këtij angazhimi shtesë do t’i kthehemi raportit dhe pakos së Martti Ahtisaarit e cila qartazi thekson se Kosova duhet të bëhet shtet i pavarur fillimisht i mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare.
Zëri i Amerikës: Pse shkohet në këto bisedime kur që më parë dihet se nuk do të sjellin asnjë rezultat në ndryshimin e qëndrimeve të të dyja palëve?
Blerim Shala: Thënë sinqerisht, motive kryesor i bisedimeve shtesë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit rrjedhë nga hezitimi i Bashkimit Evropian për t’iu bashkangjitur Shteteve të Bashkuara të Amerikës në njohjen e njëanshme të shtetit të Kosovës nëse nuk do të ketë Rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Këto bisedime shtesë do të duhej të shërbenin që të shihet edhe njëherë mos ka mbetur pa u eksploatuar si thuhet, pa u shqyrtuar, pa u hulumtuar në periudhën e kaluar. Ne jemi të bindur se gjithçka është bërë sepse përndryshe nuk do të vinim në konkludim të procesit në marsin e këtij viti, por ka shtete evropiane që akoma hezitojnë, që mendojnë që ndoshta ka mbetur diç pa u bërë dhe kjo do të shuhet ne javët dhe muajt e ardhshëm. Pra kemi të bëjmë me një proces që është lehtë i parashikueshëm se si do të rrjedhë dhe çfarë konkludimesh do të sjellë.
Zëri i Amerikës: Megjithatë, ka analistë edhe ndërkombëtarë që tërheqin vërejtjen se kjo periudhë 120ditëshe bart me vete shumë rreziqe. A pajtoheni?
Blerim Shala: Po, me siguri sepse vetë rrjedha e kohës ka rreziqe. Ne siç e dini, në fillim të procesit të zotit Ahtisaari në nëntor të vitit 2005, ishin dy binarë që gjithmonë theksoheshin nga zoti Ahtisari dhe Grupi i Kontaktit në rastin e Kosovës. Binari i parë kishte të bëjë me vetë procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, ndërsa binari i dytë me përmbushjen e standardeve. Thuhej atëbotë që nëse ne nuk përparojmë në zbatimin e standardeve ajo do të ketë pasoja, do të reflektojë edhe vetë kualitetin e statusit të Kosovës. Në ndërkohë siç e dimë dhe siç e tha edhe zoti Ruecker (Joachim) në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ne i kemi përmbushë standardet, por e kemi binarin e dytë që tash i zëvendëson standardet e ky ka të bëjë me ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë. Këta katër muajt e ardhshëm janë kapital për ne, sepse ne duhet të tregojmë që jemi në gjendje të ruajmë sigurinë dhe stabilitetin siç kemi bërë dorën në zemër edhe në periudhën e kaluar. Dhe ruajtja e sigurisë dhe stabilitetit do të jetë një ri konfirmim, një ri dëshmi që shoqëria e Kosovës është e pjekur që të bëhet shtet, prandaj epilogu I këtij procesi do të jetë shteti i Kosovës.
Zëri i Amerikës: Megjithatë deri atëherë kemi një periudhë negociatash dhe zhvillimeve të ndryshme politike. Ditëve të fundit janë përvijuar shumë ide për mundësitë e përmbylljes së procesit, përfshirë mundësinë e ndarje së Kosovës, mundësinë e krijimit të një konfederate me Serbinë e deri te mundësia që Kosova të mbetet njëfarë konflikti i ngrirë në rajon. Si i komentoni këto ide?
Blerim Shala: Mendoj, të nisem nga kjo e fundit, që Kosova të mbetet një konflikt i ngrirë në Ballkan është e pamundur për shkak se Kosova nuk është Qipro, një ujdhesë e izoluar. Kosova nuk është njëra prej ish republikave të Bashkimit Sovjetik pa impakt në stabilitetin e Ballkanit. E dimë fare mirë që Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi Bosnja e madje edhe Kroacia janë pengje të statusit të pazgjidhur të Kosovës, përfshirë edhe Serbinë. E dimë që vitin e ardhshëm do t’u bëhet oferta shteteve të Kartës së Adriatikut, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë të bëhen anëtare fuqiplotë të paktit të NATO-s e ju e dini që sipas kritereve të NATO-s nuk mund të bëheni anëtarë të paktit NATO, nëse në kufijtë e tu ke telashe, ke probleme e në atë rast edhe Maqedonia edhe Shqipëria do të kishin telashe. Pra kemi një sërë argumentesh që e zhbëjnë logjikën që çështja e Kosovës do të mbetet për vite të tëra pa u zgjidhur, apo do të jetë konflikt i ngrirë. Sa i përket temës së dytë të ndarjes territoriale të Kosovës, ju e dini fare mirë se njëri prej tri parimeve kryesore të Grupit të Kontaktit ka qenë pikërisht mënjanimi i këtij rreziku për shkak se do të ishte precedent. Për herë të parë, prej se ka filluar zierja e krizës së shpërbërjes së ish Jugosllavisë, do të kishim ndryshim të kufijve të një njësia ish federale, do të kishim ri përkufizim të kufijve, do të kishim madje edhe shkëmbim të popullatës shqiptare e serbe, ky është një skenar me siguri i elaboruar mirë në Beograd, dhe do të kishim telashe të mëdha të sigurisë për gjithë këtë pjesë të Ballkanit. Më në fund për idenë e një konfederate midis Kosovës dhe Serbisë në këtë aspekt së paku, Prishtina dhe Beogradi pajtohen që është një “non sens” politik dhe logjik. Beogradi natyrisht me motive krejt tjetër fare sepse nuk mund të përballojë dot që shteti i Kosovës dhe shteti i Serbisë të jenë të barabartë në një konfederatë. Ndërsa pala shqiptare me plotë të drejtë mendon që në atë mënyrë do të barazoheshin xhelatët dhe viktimat, do të barazoheshin fajtorët për një luftë të tmerrshme në Kosovë dhe viktimat e saj dhe zgjidhja e vetme për bindjen tonë është pavarësia e Kosovës. Natyrisht Kosova dhe Serbia do të jenë së bashku, por në Bashkimin Evropian dhe në paktin NATO.
Zëri i Amerikës: Zoti Shala, a jeni i bashkuar si ekip i unitetit dhe si shkoni në negociatat e reja?
Blerim Shala: Jemi të bashkuar rreth parimeve kyçe. Jemi të bashkuar rreth tri pikave themelore: nën një që pavarësia e Kosovës është e pa negociueshme, nën dy që tërësia territoriale e Kosovës nuk mund të kontestohet dhe nën tre që nuk mund të hapet pakoja e Ahtisaarit sepse ajo është një kompromis që është arritur midis nesh dhe UNOSEK-ut gjatë bisedimeve 15muajshe. //rd//