Të gjithë kandidatët republikanë, përveç njerit prej tyre, mbrojtën vazhdimësinë e operacioneve ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Irak, por shumë prej tyre shprehën rezerva rreth veprimeve të njëanshme të Shteteve të Bashkuara kundër grupeve kryesore terroriste në Pakistan. Korrespondenti i Zërit të Amerikës njofton se 9 kandidatë për president që e kanë bërë të njohur hyrjen në këtë garë, morën pjesë në një debat televiziv në shtetin e Iowa-s, shteti i parë ku vitin e ardhshëm do të zhvillohen zgjedhjet për kandidatin rpublikan për president.
Debati, i cili zgjati 90 minuta, u përqëndrua në probleme të diskutueshme si aborti, reformat e kujdesit për shëndetin, politikat e taksave dhe politikën e jashtme.
Kur u fol për Irakun, ish-Kryetari i Bashkisë për qytetin e New York-ut, Rudi Guliani mbajti të njëjtin qëndrim si dhe kandidatët e tjerë, atë që do të ishte gabim të forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara të tërhiqeshin nga Iraku në këtë moment.
“Në duhet të kërkojmë fitoren në Irak, në Bagdat. Lufta në Irak është pjesë e një lufte të përgjithshme kundër nesh nga ana e terroristëve. Kjo është një betejë e kësaj lufte. Amerika duhet ta fitojë këtë betejë”.
Ish-Guvernatori i shtetit Arkansas, Mike Huckabee, gjithashtu u shpreh kundër një tërheqje të menjëhershme të forcave amerikane nga Iraku, por tha se kombe si Arabia Saudite, duhet të luajnë një rol më konstruktiv për të sjellë paqe në Irak dhe se Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin fund varësisë nga nafta që vjen nga vendet e huaja. Senatori nga shteti Kansas, Sam Brownback tha se udhëheqësit e Irakut duhet të tregojnë përgjegjësi më të madhe në zgjidhjen e problemeve të vështira me të cilat ato ndeshen.
Vetëm një pjesëtar në këtë debat, Kongresmeni nga shteti i Teksasit, Ron Paul, kishte një propozim krejtësisht të kundërt për trupat amerikane në Irak:
“Të kthehen menjëherë. Ne vetëm sa hymë në Irak. Ne mund të kthehemi menjëherë në shtëpi. Ne shkuam atje në mënyrë të parregullt, ne nuk deklaruam luftë. Kjo është duke u zgjatur për shumë kohë. Ne jemi duke humbur, ne nuk duhet të qëndrojmë atje”.
Ndërkohë që senatori i shtetit të Arizonës, John McCain bëri thirrje për durim për zgjidhjen e problemit të Irakut dhe pavarësisht nga ky qendrim, ai fajësoi administratën e Presidentit Bush për mënyrën e manaxhimit të luftës.
“Të gjithë në ndjehemi të merzitur, disa herë të nervozuar dhe disa herë ndjejmë keqardhje për atë që ka ndodhur në këtë luftë. Është manaxhuar shumë keq për të paktën 4 vitet e para. Tani ne kemi një strategji që është e sukseshme”.
Kandidatët demokratë për President kanë zhvilluar debate të njejtë. Një kandidat demokrat, Senatori i shtetit të Illinois-it, Barack Obama, kohët e fundit doli i vetëm me mendimin se ai do të vepronte i vetëm për të goditur grupet terroriste në Pakistan, mendim i cili u kundërshtua nga qeveria e Presidentit Pervez Musharaf.
Zoti Obama, gjithashtu sugjeroi se ai do të ishte i hapur në bisedime me kritikët më të ashpër të Shteteve të Bashkuara në shkallë botërore, duke përfshirë Presidentin e Iranit, Mahmoud Ahmadinejad dhe Presidentin e Venezuelës, Hugo Chavez.
Në debatin presidencial republikan, ish-Guvernatori i shtetit të Massachusetts, Mitt Romney tha:
“Mendoj se Barak Obama është konfuz se cilët janë miqtë dhe cilët janë armiqtë tanë. Ne nuk mund t’i drejtohemi popullit të Pakistanit, i cili është duke na mbështetur se ne kemi ndërmend të sulmojmë në mënyrë të njëanshme”.
Por Rudy Giuliani tha se veprime të njëanshme nuk duhet të përjashtohen.
“Unë do ta konsideroja këtë mundësi, në qoftë se unë mendoj se nuk ka mundësi të tjera për të shtypur al-Kaidën dhe Talabanin, nuk ka rrugë tjetër për të kapur Osama bin Laden”.
Shumica e kandidatëve republikanë për president shprehën mbështetje për vazhdimin e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të përhapjen e demokracisë në botë, megjithëse disa thanë se Shtetet e Bashkuara duhet të udhëheqin duke u paraqitur si shembull. Disa fajësuan administratën e Presidentit Bush për insistimin për zgjedhje në qytete të shkatërrua nga lufta, pa paqe, pa ligje dhe pa u arritur një progres ekonomik.
Në këtë debat nuk mori pjesë ish-Senatori i shtetit të Tenesisë, Fred Tomson, i cili ende nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për president. Në shtetin e Iowa-s, si nga republikanët, ashtu dhe nga demokratët, nga sondazhet nuk ka asnjë kandidat që të kryesojë në mënyrë të dukshme. //iç