Lidhje

Williams: Shqiptarët të kërkojnë garanci nga SHBA për njohjen e pavarësisë pas 120 ditëve 


Zëri i Amerikës: Profesor Williams, çështja e statusit u shty për të lejuar edhe 120 ditë për negociata mes udhëheqësve të Serbisë dhe të Kosovës. Por kur nuk arrit asgjë me negociatat e mëparshme për këtë qëllim, a mendoni ju se mund të arrihet diçka për këto katër muaj?

Paul Williams: 120 ditët e ardhshme do të jenë një periudhë shumë e rrezikshme për Kosovën përsa u takon këtyre negociatave. Është shumë e qartë që nuk po flitet për të mirat shtesë, që mund të realizojë Kosova përmes tyre. Synimi i negociatave 120 ditëshe është që t’i bëhen lëshime të mëtejshme Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Kështu “Grupi i Unitetit” dhe qeveria e Kosovës do të gjenden nën një presion të madh, nga kërkesat e Serbisë dhe Bashkimit Evropian për lëshime. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe udhëheqësit e Kosovës nuk ndërmarrin disa hapa të guximshme politike për mbrojtur interesat e tyre, mund të ketë disa ndryshime, por jo në favor të kosovarëve.

Zëri i Amerikës: Për çfarë lëshimesh e keni fjalën se mund të kërkohen të bëhen nga pala kosovare lidhur me statusin përfundimtar, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë thënë se ky status do të jetë pavarësia e Kosovës?

Paul Williams: Shqetësimi i parë është se konflikti i Kosovës mund të rikthehet në Këshillin e Sigurimit pas 120 ditëve. Duhet të jemi krejtësisht të hapur: Nuk ka zgjidhje për konfliktin e Kosovës në Këshillin e Sigurimit. Rusët kanë interesa strategjike shumë të sinqerta dhe serioze, në bazë të të cilave do t’i vendosnin veton çdo lloj pavarësie. Kështu Kosova duhet ta bëjë të qartë tani, që nëse po i pranon këto 120 ditë negociata me Grupin e Kontaktit, atëhere zgjidhja duhet të vijë nga Grupi i Kontaktit dhe jo nga Këshilli i Sigurimit, pasi rusët thjesht do të vendosin veton.

Një shqetësim tjetër është ndarja e Kosovës. Mendoj se Serbia e ka bërë të qartës se ndarja në lumin e Ibrit është një nga kërkesat e saj. Ka pasur gjithashtu sinjale nga Evropianët, se ata mund ta marrin në konsideratë një rrugë të tillë, nëse bien dakord të gjitha palët.

Këto ditë, Departmenti i Shtetit në një deklaratë vinte në dukjee se i mbështeste negociatat 120 ditëshe, mbështeste statusin përfundimtar, mbështeste pavarësinë, por shtonte se Shtetet e Bashkuara do të pranonin “çfarëdo përfundimi për të cilin do të binin dakord palët” dhe kjo është një frazë e re, që amerikanët përdorin për këtë proces. Pra ekziston shqetësimi që edhe amerikanët mund të jenë duke u tërhequr disi nga ideja e tërësisë territoriale të Kosovës. Dhe ky është një sinjal shumë i rrezikshëm.

Por më shqetësuese, mendoj se është ajo që mund të kërkojnë evropianët, që do të ishte në thelb kërkesa për ta kthyer Kosovën në një konflikt të ngrirë. Evropianët e kanë hedhur në të kaluarën idenë se nuk ka nevojë për pavarësi, pasi herët a vonë, si Serbia edhe Kosova do të bëheshin pjesë e Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian është një entitet ku sovraniteti dhe kufijtë nuk kanë rëndësi. Pra, sipas idesë së tyre përse të krijohen gjithë klëto debate për pavarësinë e Kosovës. Pra le të pritet thjesht anëtarësimi në B.E. pas 10, 15, 20, apo 25 vjetësh. Ky do të ishte një propozim nga Brukseli gjë që do ta kthente Kosovën në një konflikt të ngrirë.

Zëri i Amerikës: Sa real është rreziku i një “konflikti të ngrirë” siç e quani ju, në përfundim të këtyre katër muajve?

Paul Williams: Unë parashikoj që mundësia e kthimit të Kosovës në një konflikt të ngrirë është shumë e madhe. Unë kam punuar në Departamentin e Shtetit dhe e di që amerikanët janë shumë të kujdesshëm me formulimin e qëndrimeve të tyre. Kur grupi i unitetit ishte këtu, kërkoi që të merrte garanci se Shtetet e Bashkuara do ta njihnin Kosovën në fund të këtyre 120 ditëve, që do ta njihnin Kosovën në vitin 2007, që Shtetet e Bashkuara do të ishin të parat që do ta njihnin pavarësinë e Kosovës, nëse procesi dështonte. Kjo garanci nuk u dha. Deklarata e Shteteve të Bashkuara ishte që “ne besojmë se në fund të këtij procesi Kosova do të jetë e pavarur”. Ata nuk thanë as 2007 as pas 120 ditëve.

Kosovarët duhet të kërkojnë garanci nga amerikanët që pas 120 ditëve ata do të jenë të pavarur. Dhe në fakt është në interesin e Shteteve të Bashkuara që të caktojë një datë brenda vitit 2007, ose në fillim të vitit 2008 për pavarësinë e Kosovës dhe t’i qëndrojnë asaj date. Një gjë e tillë do t’i bënte evropianët që të përqendroheshin në marrjen e vendimit të duhur për pavarësinë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Cilat mendoni se janë shanset që udhëheqja e Kosovës të ketë mundësinë që të ndikojë tek Shtetet e Bashkuara, për përfundimin e statusit të Kosovës, pra për pavarësinë që kërkon shumica shqiptare?

Paul Williams: Kosovarët kanë mundësi të jashtëzakonshme për të ushtruar ndikim si ndaj Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe ndaj Evropës. Ata e kanë përdorur këtë aftësi në vitin 1998 për ndaljen e genocidit të regjimit serb. Udhëheqja e Kosovës, qoftë LDK-ja, apo UÇK-ja, AAK-ja dhe të gjithë faktorët e tjerë ia arritën të bindin qeverinë e Shteteve të Bashkuara që të angazhohej në ndërhyrjen humanitare, në luftën e parë në historinë e NATO-s. Shqiptarët e Kosovës bindën Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë që të ndërhynin ushtarakisht, diçka që ata nuk e bënë në Bosnje, apo Kroaci. Me aftësinë e përdorur për lobizëm në Uashington, sensibilizimin publik dhe një udhëheqje të zgjuar, kosovarët arritën që kauzën e tyre për pavarësi ta nxirrnin në linjën e parë. Këto arritje pësuan goditje gjatë 6-9 muajve të fundit. Por Kosova e ka këtë aftësi.

Ajo që mund të bëjnë kosovarët është referendumi, ashtu siç kanë bërë shumë vende që kanë dashur të arrijnë synimin për pavarësinë. Nuk ka pëngesë ligjore dhe ka mjaft arsye politike sepse Kosova duhet të mbajë një referendum. Kosovarët duhet të ndërmarrin hapa dhe të veprojnë si një vend i pavarur gjë që vendos presion mbi amerikanët, amerikanët nga ana e tyre ushtrojnë ndikim tek evropianët dhe ata nga tjetër të ndikojnë tek rusët dhe rusët ndikojnë tek serbët.

Zëri i Amerikës: Analistët thonë se një nga synimet e Rusisë është përçarja e Bashkimit Evropian lidhur me statusin e Kosovës. A do të arrijë Bashkimi Evropian të dalë i bashkuar me një vendim në fund të këtij procesi?

Paul Williams: Ekziston një zgjidhje tre planëshe që kërkon një ndërhyrje shumë energjike politike. Kosovarët duhet të thonë që nuk ka alternativë tjetër përveç pavarësisë, pavarësia duhet të shpallet në fund të 120 ditëve, me referendum. Ata gjithashtu duhet të hapin për diskutim paketën e Ahtisaarit: Nuk ka asgjë pozitive në paketën Ahtisaari për Kosovën: ajo ka një sërë lëshimesh për Serbinë. Ata duhet të shkojnë në negociata me paketën e hapur, të paraqesin kërkesat e tyre, duke i përforcuar ato me rezolutat e parlamentit të tyre dhe me kërkesën për referendum. E dyta është që Amerinët duhet të jenë shumë më të vendosur. Evropianët, arrijnë në vendime të përbashkëta sigurie në politikën e jashtme vetëm kur amerikanët marrin frenat në dorë, siç ndodhi në vitin 1999. Amerikanët duhet të thonë që në fund të këtyre 120 ditëve do ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe do ta mbështesin Kosovën, për anëtarësim në OKB, Bankën Botërore dhe në FMN dhe t’u kërkojnë evropianëve të jenë në krah të Shteteve të Bashkuara. Evropa do të pranojë sepse nuk do të ndahet nga Shtetet e Bashkuara.

Po ashtu amerikanët dhe evropianët duhet ta interpretojnë saktësisht rezolutën 1244, sepse rusët dhe serbët me shumë zgjuarsi e kanë interpretuar atë në mbrojtje të tërësisë territoriale të Serbisë. Gjithçka që ka të bëjë me sovranitetin është në parathënie, e cila nuk është ligjërisht e detyrueshme. 1244 parashikon vetëvendosje për Kosovën dhe nuk përmend arritjen e saj me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit, apo me miratimin e Serbisë. Arsyeja për rezolutën 1244 ishte se Serbia nuk ra dakord me atë që u arrit në Rambuje.

Zëri i Amerikës: Ju përmendni dy skenarë, njërin prej tyre konflikti i ngrirë i cili mund të jetë i detyruar nga Bashkimi Evropian dhe një tjetër i ndikuar nga qëndrimi i udhëheqjes kosovare, nga Kosova vetë. Por cili mendoni ju ka më shumë shanse për sukses, pra cili nga këto do të realizohet?

Paul Williams: Unë kam frikë se ajo që do të ndodhë është konflikti i ngrirë. Është e rëndësishme të shohim rastet e mëparshme për krijimin e shteteve. Asnjë nga shtetet që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik nuk u krijuan nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, por vetem u njohën nga SHBA dhe Evropa. Po ashtu as Bosnja, Kroacia, Maqedonia nuk u njohën nga Këshilli i Sigurimit. Nuk është funksioni i Këshillit të Sigurimit që të krijojë shtete.

Zëri i Amerikës: Nga përvoja juaj sa vende duhet ta njohin një shtet të ri në mënyrë që ai të jetë i pavarur dhe të ketë legjitimitetin e duhur në shkallë ndërkombëtare?

Paul Williams: Është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara, shtetet me peshë në rajon që në këtë rast do të ishte Evropa, qoftë BE-ja, apo një grup kyç vendesh anëtare. Nëse ke mbështetjen e tyre, si edhe të disa shteteve si Japonia në Azi, apo Afrika e Jugut, ndonjë vend tjetër në Lindjen e Mesme, kjo do të ishte e mjaftueshme për t’u bërë e pavarur dhe kështu do të anëtarësohej në Bankën Botërore, FMN, OSBE. Do të kishte pak vështirësi për OKB-në se duhet miratimi i Këshillit të Sigurimit, por edhe kjo do të vijë me kalimin e kohës. Kemi parë raste kur Rusia ka thënë jo dhe pastaj është tërhequr. Nëse bëhet përmes Këshillit të Sigurimit, ajo vë veton, por nëse realizohet në rrugët të tjera, kthehet në një realitet politik dhe Rusia e pranon. Përsa kohë që rusëve u jepet mundësia të vënë veton, ata do ta përdorin, por nëse u mbyllet kjo mundësi duke gjetur rrugë të tjera, ata do të gjejnë diçka tjetër me se të merren. //kk//

XS
SM
MD
LG