Lidhje

Shtohet mbështetja iraniane për ekstremistët në Irak


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Irak, Rajën Krokër, tha se mbështetja iraniane për ekstremistët në Irak është shtuar pas raundit të parë të bisedimeve amerikano-iraniane që u zhvilluan për këtë çështje në muajin maj.

Zoti Krokër tha se pati një shkëmbim të ashpër deklaratash, kur ai i ngriti këto akuza gjatë raundit të dytë të bisedimeve sot në Bagdat me homologun e tij iranian, Hasan Kazemi Qomi. Irani nuk pranon të ketë furnizuar me armë dhe të ketë stërvitur ekstremistët shiitë në Irak.

Kryeministri i Irakut, Nuri al-Maliki e hapi takimin e sotëm duke u bërë thirrje Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të ndihmojnë në stabilizimin e vendit të tij. Irani, Iraku dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të krijojnë komitetin e sigurimit në Irak, por hollësitë mbeten për t’u përpunuar.

Shtetet e Bashkuara thonë se bisedimet do të përqëndrohen vetëm në gjendjen e sigurisë në Irak, megjithë tensionet rreth programit bërthamor të Iranit dhe iraniano-amerikanëve, të ndaluar nga Teherani.

Policia irakiane njoftoi se nga një shpërthim vetëvrasës humbën jetën të paktën 26 veta dhe u plagosën rreth 70 të tjerë në qytetin Hillah, rreth 100 kilometra në jug të Bagdatit. Autoritetet thanë se shpërthimi i sotëm ndodhi afër një spitali në një distrikt komercial. Shumë prej të vdekurve mendohet të jenë gra dhe fëmijë.

Në zhvillime të tjera, ushtria amerikane tha se forcat e koalicionit ndaluan sot 20 terroristë të dyshuar në sulme, që kishin në shënjestër operacionet e al-Kaidës në Irak në veri të Bagdatit. //iç//

XS
SM
MD
LG