Lidhje

SHBA: Kush dallon nga kandidatët republikanë për zgjedhjet e 2008-s


Megjithëse Hillary Clinton vazhdon të jetë kandidatja e parapëlqyer e demokratëve për emërimin e tyre presidencial vitin e ardhshëm, nga republikanët akoma nuk dihet se kush është në krye në këtë faze të hershme të procesit për zgjedhjet e vitit 2008.

Një anketë e opinionit publik e realizuar nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe kompania Ipso, pasyrohet dilema e republikanëve në garën për president. Ish-kryetari i Bashkisë së New York-ut, Rudi Giuliani kryeson me 21%, i ndjekur nga ish-senatori i shtetit Tennessee, Fred Thompson, me 19%, i cili ende nuk ka hyrë zyrtarisht në garë. Pas tyre vjen senatori i shtetit të Arizonës, John McCain me 15% i ndjekur nga Governatori i shtetit Massachusetts, Mitt Romney me 11%.

Por surpriza ishte se 25% e të anketuarve nuk qenë të sigurtë në preferencën e tyre, apo nëse preferonin apo jo ndonjërin nga këta kandidatë, duke e lënë garën për kandidatin e Partisë Republikane krejtësisht të hapur. Kjo vjen pjesërisht edhe ngaqë në garë nuk ka ndonjë figurë logjike që të përfaqësojë Partinë Republikane për kandidatin e vitit 2008.

Presidenti Bush sipas kushtetutës nuk mund të kandidojë përsëri ndërsa nënpresidenti, Dick Cheney ka thënë se nuk do të kandidojë. Ekspertë të politikës mendonin se senatori John McCain, i cili konkuroi me Presidentin Bush në vitin 2000, do të ishte kandidati më i pëlqyer midis republikanëve. Por për disa arsye, gjërat nuk kanë shkuar mirë për senatorin McCain. Ja ç’thotë John McIntyre, i cili ka krijuar një faqe politike në internet të quajtur Real Clear Politics pikë Com.

“Kishte diçka që votuesit konservatorë nuk pëlqenin te senatori McCain. Kështu, megjithëse dukej se do të ishte kandidati më i pëlqyer, ai nuk përputhej natyrshëm me kërkesat e votuesve republikanë të bazës. Kështu që mes tyre vihet re një boshllëk sepse pas John McCain-it, nuk kishte ndonjë kandidat tjetër të besueshëm,” thotë analisti.

Një anketë e re e realizuar nga Zogby, ve ish-senatorin Fred Thompson në krye me 21 përqind kundrejt Giulianit me 21%, të ndjekur nga zoti Romney dhe McCain. Zoti Thompson pritet që të futet së shpejti në garë dhe do të jetë një alternativë e freskët për votuesit e moderuar konservativë, një grup i rëndësishëm brenda Partisë Republikane. //ad//

XS
SM
MD
LG