Lidhje

Grupi i Unitetit: Nuk bëhet fjalë për shpallje unilaterale të pavarësisë


Udhëheqësit e Kosovës thanë pas takimeve në Departamentin e Shtetit se nuk bëhet fjalë për një shpallje unilaterale të pavarësisë por për një shpallje të koordinuar, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Europian.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se kishin marrë garanci nga zyrtarët e lartë amerikanë se në mbarim të periudhës shtesë 120 ditëshe të bisedimeve rezultati do të jetë pavarësia. Ai tha se në bisedimet me sekretaren e shtetit Kondoliza Rajs, Shtetet e Bashkuara shfaqën angazhimin në favor të pavarësisë.

“Mendoj se ishin takime jashtëzakonisht të rëndësishme me Sekretaren e Shtetit, zonjën Rajs si dhe me ekipin që punon me Kosovën. Mund të themi se kemi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sikur më parë, sikur tash edhe në të ardhmen për të gjitha proceset, edhe për pavarësinë e Kosovës. Për ne është me rëndësi që duhet të jemi partner i rëndësishëm në komunikim dhe në bashkëpunim me ta dhe me Bashkimin Europian dhe po ashtu me idenë që të jetë edhe një angazhim shtesë në 120 ditëshin e ardhshëm në të cilin ne sigurisht që do të riafirmojmë edhe një herë dhe argumentojmë vizionin tonë për të ardhmen e Kosovës, duke pasur parasysh qasjen tonë të përbashkët për të ndërtuar stabilitetin dhe paqen në rajon. Për ne është me rëndësi se pakoja e Presidentit Ahtisari është një pako që përmbush të gjithë objektivin për ecjen e Kosovës drejt realizimit të pavarësisë së saj dhe të ardhmes për të gjithë qytetarët e vet dhe po kështu është shumë me rëndësi se do të shërbejë edhe si bazë e mirë për ndërtimin e legjislacionit dhe strukturës së brendshme funksionale të shtetit të Kosovës.”

Në komentet që bëri pas takimeve në Departamentin e Shtetit, kryeministri Agim Çeku tha se nuk bëhet fjalë për një shpallje unilaterale të pavarësisë por për shpallje të koordinuar, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Europian.

“Na pret një periudhë e angazhimit shtesë prej 120 ditësh dhe ne morëm sot garanca të fuqishme se pas kësaj periudhe do të zgjidhet statusi dhe zgjidhja do të jetë pavarësia e Kosovës. Për këtë kemi garanci, pra pavarësi e Kosovës mbi bazën e planit Ahtisari dhe brenda kufijve të vet të tanishëm. Ne biseduam sot edhe modalitetet e shpalljes së pavarësisë. Nuk bëhet fjalë për një shpallje unilaterale por për një shpallje të koordinuar, në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Europian dhe pas 120 ditëve do të arrijmë këtë fazë kur duhet të shpallet pavarësia dhe kur do të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e vendeve të BE-së. Besojmë të gjitha, por presim nga shumica e tyre.

I pyetur nëse pala shqiptare pranon të marrë pjesë në bisedime me Beogradin, zoti Çeku tha se pala kosovare është dakord për bisedime por këtu nuk do të diskutohet për pavarësinë e Kosovës apo për kufijtë e saj.

“Ne do të angazhohemi në këtë periudhë shtesë, ne do të diskutojmë. Jemi të gatshëm që të takohemi. Absolutisht nuk do të bisedojmë për pavarësinë e Kosovës, për pakon Ahtisari dhe për kufijtë e Kosovës. Do të bisedojmë se si të mund t’i normalizojmë marrëdhëniet tona me Serbinë, si të mund të kontribuojmë për paqen dhe stabilitetin në rajon.”

Pas bisedimeve në Departamentin e Shtetit, anëtari i Grupit Negociator Veton Surroi tha se çështja se do të vazhdojë procesi do të vendoset nga Grupi i Kontaktit.

“Për neve është me rëndësi që Paketa Ahtisari të shndërrohet në paketën tonë legjislative. Çështja e procesit negociator neve na shndërron në partner dhe duhet të marrim pjesë në përcaktimin e agjendës dhe jo që agjenda të na imponohet. Çështja tjetër është që ky proces të përfundojë në pavarësinë. Procesi do të jetë i vështirë nuk do të jetë i lehtë. Disa prej vështirësive ja kemi transmetuar edhe Sekretares Rajs. Në këtë proces ka rëndësi edhe kohezioni ynë i brendshëm politik dhe është me rëndësi partneriteti në veçanti me Shtetet e Bashkuara por edhe me Bashkimin Europian.”

XS
SM
MD
LG