Kabineti irakian miratoi një projektligj të ri për shpërndarjen e të ardhurave të naftës mes grupeve suni, shiite dhe kurde të vendit. Projekt ligji i ri u miratua sot njëzëri nga kabineti dhe debati në parlament pritet të fillojë nesër.
Kurdët dhe të tjerë ishin ankuar se shpërndarja e të ardhurave ishte e padrejtë. Shumica e naftës së Irakut është e përqëndruar kryesisht në veriun kurd dhe jugun shiit, dhe pak gjendet në rajonin qëndror të dominuar nga arabët suni.
Shtetet e Bashkuara e shohin ligjin për shpërndarjen e të ardhurave nga nafta si të nevojshëm për ripajtimin kombëtar të Irakut.
Po sot, një makinë bombë shkaktoi vdekjen e tetë personave dhe plagosjen e 20 të tjerëve në Shaab, një lagje shiite e Bagdadit. Në zhvillime të tjera, ushtria amerikane tha se kryengritësit rrëzuan dje një helikopter amerikan pranë Bagdadit, por helikopterë luftarakë shpëtuan dy pilotët e plagosur lehtë. //kk//