Ish shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara në Prishtinë, Soren Jessen - Petersen, thotë se evropianët po krijojnë pasiguri me disa qendrime të tyre të fundit për çështjen e statusit të Kosovës. Në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës, zoti Jesen-Petersen, tha se megjithatë, procesi nuk ka rrezik të devijojë, sepse Shtetet e Bashkuara janë të qarta për rezultatin. Ai tha gjithashtu se në kushtet e krijuara, udhëheqësit politikë dhe populli i Kosoves duhet të punojnë bashkë dhe të ruajnë qetësinë.
Zëri i Amerikës: Zoti Petersen, tani që statusi i Kosovës u shty për 4 muaj të tjerë, a mendoni se procesi është ndërlikuar më tepër?
Soren Jesen-Petersen: Po, mendoj, se duke e shtyrë procesin, ne po rrezikojmë që një proces që është i vështirë, ta vështirësojmë shumë më tepër. Ne e dimë se cili do të ishte rezultati, ai mund të jetë pavarësia, por ne dimë gjithashtu se kjo do të jetë e vështirë për Serbinë. Edhe Rusia e pranon se është i vështirë. Por do të thoja se është më e lehtë të kapërcesh këto vështirësi, se sa të kapërcesh pasigurinë dhe të zgjasësh procesin. Sidomos evropianët po krijojnë shumë pasiguri, gjë që është e panevojshme.
Zëri i Amerikës: A ekziston rreziku që procesi të ndryshojë drejtimin këto 4 muaj?
Soren Jesen-Petersen: Nuk mendoj se kjo mund të ndodhë. Megjithatë, duhet të jemi në gatishmëri. Serbia duhet ta ketë të qartë që pavarësia është e paevitueshme. Ajo që po përpiqet të bëjë Serbia, me mbështetjen e fortë të Rusisë, është ta vonojë procesin, duke shpresuar se mund ta destabilizojë Kosovën, për ta ndryshuar kështu drejtimin; duke e vonuar procesin, ata mund ta përçajnë bashkësinë ndërkombëtare dhe te devijojnë procesin. Mendoj se është e rëndësishme që populli dhe udhëheqësit politikë të Kosovës, të mos bien pre e provokimeve nga këto taktika vonese. Ata duhet të jenë të qetë, sepse ata e dinë dhe të gjithë ne e dimë, se rezultati i këtij procesi do të jetë pavarësia. Pra, në fakt unë e shoh këtë vonim të procesit si një përpjekje për ta devijuar atë. Por kjo nuk do të ndodhë, sepse Shtetet e Bashkuara janë të qarta, Britania e Madhe po ashtu, dhe shtetet evropiane janë tepër të qarta për rezultatin, prandaj tani populli i Kosovës duhet të qëndrojë i qetë. Unë e kuptoj se është shumë e vështirë që të qëndrojë i qetë, por duke e ruajtur durimin, ata nuk do të bien pre e provokimeve të Serbisë.
Zëri i Amerikës: Shqiptarët besonin, (pasi kështu u ishte thënë) se statusi do të zgjidhej vitin e kaluar; më pas, përsëri, majin e këtij viti dhe tani, përsëri, kemi një tjetër shtyrje. Në këto kushte, a ekziston shqetësimi për mundësinë e trazirave në Kosovë?
Soren Jesen-Petersen: Nuk e besoj. Unë kam punuar dy vjet në Kosovë dhe ne kaluam së bashku disa momente tepër të vështira: Zgjedhjet, ngritja e padisë ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, vdekja e Presidentit Rugova, dhe në secilin prej këtyre momenteve, njerëzit ishin të qetë, i përballuan ato me dinjitet dhe me pjekuri. Unë e kam parë Kosovën të kalojë momente të vështira, dhe e kuptoj që njerëzit po e humbin durimin, për shkak të kushteve të tyre të jetesës, ekonomia është në gjendje jo të mirë, ka papunësi. Nga ana tjetër, nuk mendoj se është në natyrën e popullit të Kosovës të përgjigjet me dhunë, prandaj jam i sigurt se ata do të qëndrojnë të qetë, e di që kjo është vështirë, por kjo është përgjigja më e mirë ndaj kësaj pasigurie dhe hezitimi mes vendeve evropiane, çka është për të ardhur keq.
Zëri i Amerikës: Kërcënimi i Rusisë për t’i vënë veton rezolutës për Kosovën shihet nga disa analistë si përpjekje e Moskës për të ritheksuar pozicionin e vet, si lojtare kryesore në arenën ndërkombëtare, si dhe një përpjekje për të krijuar përçarje mes BE-së dhe SHBA-së. Cili është mendimi juaj?
Soren Jesen-Petersen: Le të kujtojmë, që Maqedonia e ka mbështetur me forcë pavarësinë e Kosovës, po ashtu edhe Kroacia, po ashtu Mali i Zi, Shipëria. Përse? Në radhë të parë, sepse këto vende mendojnë se kjo është një zgjidhje e drejtë, por edhe sepse ata kanë nevojë që statusi i Kosovës të zgjidhet, në mënyrë që të normalizohet rajoni. Ata kanë nevojë që të shkohet përpara, që mbarë rajoni të jetë i qëndrueshëm, të shkojë në Evropë, dhe që të arrihet kjo, statusi i Kosovës duhet të sqarohet dhe ajo duhet të jetë e pavarur. Kjo do të thotë se pozicioni i Rusisë, nuk ka të bëjë vetëm me kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, por ai është edhe kundër vendeve të rajonit.
Zëri i Amerikës: Në rast se Kosova deklaron pavarësinë në mënyrë të njëanshme dhe më pas ajo njihet mbi baza bi-laterale nga shtete të veçanta, sa i vështirë do të ishte ky proces për shtetin e ri, të porsaformuar dhe të brishtë të Kosovës?
Soren Jesen-Petersen: Në se Rezoluta e Këshillit të Sigurimit bllokohet, atëhere, ajo që do të ndodhë, është se do të pranohet pasiguria përgjithmonë. Unë besoj se çdo politikan i përgjegjshëm e kupton se ruajtja e një gjendjeje të papërcaktuar në Kosovë dhe në rajon - e theksoj në rajon - nuk është në interesin e qëndrueshmërisë në Evropë. Siç e thashë ky është plani i vetëm më i mirë i mundshëm, i arritur me kompromis, dhe nuk kemi ç’të shohim plane B, apo C. Ky plan ka klauzola te veçanta për mbrojtjen e komunitetit serb, që serbët, të ndjejnë dhe të kenë një të ardhme në Kosovë, një plan që i jep pavarësinë Kosovës dhe mbron në të njëjtën kohë, interesat e serbëve. Pra, ky është një plan shumë i mirë. Gjithshka tjetër do të ishte dobësim, dhe komplikim i asaj që kemi tani dhe kjo nuk është as në interes të qëndrushmërisë në Kosovë dhe as në rajon.
Zëri i Amerikës: Politikanët shqiptarë, Ekipi i Unitetit, gjenden këto ditë në një pozicion të vështirë. Ata përballen me përgjegjësinë dhe me zhgënjimin e populllit, të lodhur nga ky proces i gjatë. Ka madje shenja se ata po humbin edhe besueshmërinë e popullit. Çfarë do t’u thonit ju, udhëheqësve shqiptarë dhe popullit të Kosovës?
Soren Jesen-Petersen: Unë e kuptoj që populli i Kosovës e ka humbur durimin. Po ashtu kuptoj, që në një situatë të tillë, si në çfarëdo vendi të botës, populli padurimin e drejton ndaj udhëheqësve dhe kjo është normale. Në anën tjetër, më duhet të them, se në se Ekipi i Unitetit u deklaroi njerëzve se pavarësia pritej në një afat të caktuar, kjo bazohej nga të dhënat që ata kishin nga bashkësia ndërkombëtare. Unë mendoj, se në një farë mase, vetë Ekipi i Unitetit është zhgënjyer nga bashkësia ndërkombëtare dhe mendoj se ata po bëjnë një punë shumë të mirë, në një situatë shumë të vështirë, kur njerëzit po e humbin durimin. Por mendoj se nuk është e drejtë që zhgënjimi të drejtohet nga Ekipi i Unitetit. Ata e kryen më së miri punën e tyre në Vienë, gjatë bisedimeve. Tani mendoj që udhëheqësit politikë dhe populli duhet të punojnë bashkë në këto kushte dhe të ruajnë qetësinë sepse rezultati është i qartë. //rd//