Autoritetet irakiane thonë se një kamion bombë në Bagdat shkaktoi vdekjen e të paktën 78 vetëve dhe plagosjen e 218 të tjerëve, shpërthimi më i përgjakshëm në kryeqytet që nga muaji prill.
Shpërthimi i sotëm pranë një xhamie shiite në pjesën qendrore të Bagdatit shkaktoi re të dendura tymi dhe menjëherë pas tij kudo në qytet u dëgjuan të shtëna armësh.
Sulmi ndodh dy ditë pas heqjes nga autoritetet të një ndalimqarkullimi, i cili u vendos për të frenuar dhunën sektare që shoqëroi hedhjen në erë të një xhamie të rëndësishme shiite në qytetin e Samarasë.
Ndërkohë, ushtria amerikane filloi një operacion të madh kundër terroristëve të al-Kaidës në Irak që veprojnë në verilindje të Bagdatit. Zyrtarët thonë se 10 mijë ushtarë po marrin pjesë në operacion brenda dhe jashtë qytetit Bakuba.
Në orët e para të ofensivës u vranë 22 militantë. Sipas zyrtarëve irakianë, të paktën 23 vetë u vranë në Nasiriya në luftimet mes policisë irakiane dhe milicisë shiite të Ushtria Mehdi. //ze//