Lidhje

Amerikanët me prejardhje të huaj i rikthehen gjuhës së prindërve


Pak më shumë se 10 vjet më parë, numri i njerëzve që studionin gjuhë të huaja në kolegjet amerikane ishte në rënie. Tani, Shoqata e Gjuhëve Moderne në Amerikë, flet për një rritje të shpejtë të regjistrimeve, si në numër dhe në përqindje, të studentëve që duan të mësojnë gjuhë të huaja. Një numër i madh i këtyre studentëve quhen, folësit e gjuhës së trashëguar, pasi ata regjistrohen nëpër kurse të gjuhës që është e trashëguar nga prejardhja e tyre familjare.

Në këtë klasë të Floridës, Barbara Leach dhe Marcella Bush po praktikojnë gjuhën polake me mësuesen e tyre. Ato janë shembulli i asaj që specialistët e quajnë “folësit e gjuhës së trashëguar.” Leach është rritur në Shtetet e Bashkuara por prindërit e saj polakë nuk flasin anglisht në shtëpi. Sot, disa dekada pasi e ka folur polonishten si fëmijë, Leach ka vendosur ta rimësojë gjuhën.

“15 vjet më parë pasi më vdiq nëna, askush nuk fliste më me mua polonisht, dhe po nuk u përdor, gjuha harrohet. Kështu që vendosa të marr kurse polonishteje dhe kjo po më ndihmon shumë pasi tani kam nisur edhe të mendoj në gjuhën polake”.

Varshava, kryeqyteti i Polonisë, është vendlindja e të parëve për shumë polako-amerikanë. Llogaritet se rreth 750 mijë amerikanë flasin polonisht në shtëpitë e tyre. Këtu në Florida, ku dy gra studiojnë gjuhën e tyre tradicionale, Marcella Bush thotë se interesi është në rritje.

“Ne kemi zakonisht rreth 20 studentë në klasat e polonishtes, dhe është e mrekullueshme të kesh 20 njerëz të interesuar për të mësuar një gjuhë kaq të vështirë”.

Kina është një tjetër vend gjuha e të cilit po gjen popullaritet në Amerikë. Sipas llogaritjeve të fundit, rreth 34 mijë studentë nëpër kolegje mësojnë gjuhën kineze. Dhe vihet re shtimi i studentëve me prejardhje kineze. Dr Ilian Alon kryeson departamentin e gjuhës kineze në kolegjin e Floridës.

“Vëmë re që gjuha kineze është ndër më të preferuarat, dhe për herë të parë kemi punësuar një profesor me orë të plota për t’ua mësuar këtë gjuhë studentëve”.

Fondet qeveritare duket se po e mbështesin zhvillimin e gjuhëve të trashëguara. Për shembull Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë më shumë se 300 mijë dollarë Universitetit të Kalifornisë për të futur gjuhët e huaja në komunitetet e imigrantëve.

Por Sofia Wu nga Shkolla kineze e së Nesërmes në Orlando, thotë se programet për gjuhët e trashëguara, lënë për të dëshiruar, kryesisht për mësuesit e nxënësve të vegjel në moshë.

“Fëmijët kanë nivele të ndryshme të njohjes së gjuhës, dhe kjo varet nga njohuritë që kanë marrë në shtëpi, kështu që materialet, tekstet e librave, nuk përshtaten me nivelin e këtyre fëmijëve, ndaj duhet bërë më shumë për këtë kategori”.

Në Amerikë, në shtete të tilla si Florida, kërkesat për kurse të gjuhëve të trashëguara, janë në rritje, si përshembull për gjuhët arabe, koreane, vietnameze, dhe ruse.

Dhe sipas një studimi, llogaritet që rreth gjysma e të regjistruarve në kurse janë folës të këtyre gjuhëve të trashëguara. //kk//

XS
SM
MD
LG