Qendrimet e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mbeten të papajtueshme për statusin përfundimtar të Kosovës. Rusia akuzon perëndimin se e ka lënë jashtë bisedime të grupit të Kontakit në Paris, ndërsa zyrtarë të lartë amerikanë thonë se Presidenti Bush e bëri të qartë se zgjidhja e statusit të Kosovës është pavarësia. I dërguari amerikan për Kosovën, Frank Uizner, shkon nesër në Prishtinë për të informuar zyrtarët mbi bisedimet e Parisit.
Ministria e jashtme e Rusisë akuzoi fuqitë perëndimore se po e përjashtojnë Moskën nga bisedimet për të ardhmen e Kosovës. Zëdhënësi i ministrisë, Mihail Kaminin, u ankua sot në një deklaratë se Rusia nuk ishte ftuar në takimin e djeshëm të Grupit të Kontaktit në Paris për Kosovën. Ai i quajti diskutimet e Parisit “bisedime sekrete” dhe tha se bisedime të tilla të japin përshtypjen se në diskutim janë vendime të njëanëshme që mbështesin pavarësinë e Kosovës.
Sot në Uashington, i dërguari amerikan për Kosovën, Frank Uizner, tha se bisedimet e Parisit afirmuan se Uashingtoni dhe aleatët evropianë janë të një mendjeje mbi rëndësinë që ka mbështetja e planit të OKB-së për pavarësinë e Kosovës.
Nënsekretari amerikan i Shtetit, Nicholas Burns, tha në një takim me gazetarët dje në klubin evropiano-amerikan të shtypit në Paris se qendrimi i Shteteve të Bashkuara për statusin përfundimtar të Kosovës u shpreh qartë nga Presidenti Bush, gjatë vizitave të tij në Tiranë dhe Sofie.
“Presidenti Bush tha se do që të shikojë një Kosovë të pavarur dhe nuk beson se ne duhet të presim shumë kohë para se Këshilli i Sigurimit të miratojë rezolutën për këtë çështje”.
Zoti Burns konfirmoi se Shtetet e Bashkuara do të punojnë gjatë këtyre ditëve në Kombet e Bashkuara dhe në Ministrinë e Jashtme në Paris që Këshilli i Sigurimit të dalë me rezolutë”.
"Europe dhe Shtetet e Bashkuara duhet të qendrojnë të bashkuara dhe duhet ta bindin Rusinë se kjo është e vetmja rrugë për të shkuar përpara”, tha zoti Burns dhe shtoi se se ky është vullneti i popullit të Kosovës.
Pavarësia e Kosovës është një çështje për të cilën Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk bien dakord. Rusia, që është aleate e Serbisë, beson se një vendim i tillë do të krijonte që shembull të rezikshëm për rajonet separatiste të botës.
Edhe Serbia e kundështon krijimin e shtetit të Kosovës, pasi e shikon atë si zemrën e teritorit të saj historik.
Zoti Burns pranoi se ky do të jetë një proces i vështirë për Serbinë, pasi ajo nuk është dakord me pavarësinë e Kosovës dhe i dërgoi një mesazh të qartë Serbisë se ajo duhet të heqë dorë nga Kosova
"Ajo e humbi Kosovën gjatë fushatës së spastrimit etnik të Millosheviçit, kur ai u përpoq të dëbonte s’andejmi 1 milionë kosovarë në muajt mars, prill dhe maj të vitit 1999. Mendoj se ora nuk mund të kthehet mbrapsht, prandaj pavarësia Kosovës është objektivi ynë dhe besoj se ne do ta realizojmë atë”.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore Evropiane që mbështesin pavarësinë e Kosovës po përpiqen të ngushtojnë divergjencat me Rusinë për këtë çështje. Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane paraqitën një rezolutë të rishikuar në Këshillin e Sigurimit për pavarsi të mbikqyrur për Kosovën, por rezoluta u kundërshtua menjëherë nga Rusia, që la të kuptohet se ajo do t’i vërë veton asaj.
Versioni i rishikuar i rezolutës i përgjigjet kërkesës së Rusisë për ruajtjen e karakterit shumetnik të Kosovës, por nuk përfshin propozimin kryesor rus për bisedime të reja mes shumicës shqiptare, që kërkon pavarësinë, dhe pakicës serbe të Kosovës që dëshiron të mbetet pjesë e Serbisë.
Presidenti Bush u shpreh fare qartë në Tiranë dhe në Sofie se negociatat dhe diskutimet nuk mund të vazhdojnë pa kufi. Tani është koha, tha ai, që të zgjidhet statusi i Kosovës dhe rezultati final dueht të jetë pavarësia e saj. //rd//