Lidhje

Ndalen planet për një sulm me raketa në Zonën e Gjelbërt në Irak


Forcat amerikane në Irak thanë se arritën të ndalojnë një sulm me raketa në Zonën e Gjelbërt të fortifikuar rëndë në Bagdat.

Zyrtarët ushtarak thanë sot se helikopterët amerikanë bombarduan ekstremistët që përgatiteshin të hidhnin raketa në zonën e rrethuar ku ndodhen ndërtesat e qeverisë irakiane dhe ambasada amerikane. Katër ekstremistë u vranë nga sulmi afror në jug të lagjes Sadr.

Policia irakiane tha se një vetvrasës me autobombë vrau 10 persona dhe plagosi të paktën 25 të tjerë sot në një sulm mbi një autokolonë të policisë në Bagdat. Një zëdhënës tha se të paktën një polic u vra në këtë incident.

Po sot, zyrtarët e ushtrisë amerikane njoftuan se shtatë trupa u vranë dje në gjashtë incidente. Zyrtarët thanë se një ushtar u vra nga një vetvrasës në afërsi të Bagdatit kurse të tjerët u vranë në sulme me armë në Bagdat, Dijala dhe Ninevah.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts paralajmëroi Turqinë kundër dërgimit të trupave në veri të Irakut për të ndjekur rebelët kurdë që i akuzon se kryejnë sulme terroriste në Turqi.

Duke folur sot me gazetarët në Singopor, sekretari Gejts tha se e kupton shqetësimin e Turqisë mbi sulmet ndërkufitare të rebelëve kurdë, por ai paralajmëroi Turqinë kundër veprimeve të njëanëshme përtej kufirit në Irak, duke thënë se Uashingtoni kërkon të punojë me qeverinë turke për ta ndihmuar të kontrollojë problemin e terrorizmit në vend. //rd//

XS
SM
MD
LG