Lidhje

Ismail Kadare për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë


Shqipëria po përgatitet këto ditë për vizitën e Presidentit Bush më 10 qershor. Presidenti do të shkojë në Shqipëri në kuadër të turneut në Evropë, ku do të marrë pjesë në takimin e udhëheqësve të 8 vendeve më të industrializuara në Gjermani. Në Shqipëri, vizita është këto ditë në qendër të vëmendjes së politikanëve, të cilët shpresojnë që ajo të kontribuojë për konsolidimin e imazhit të vendit në këto momente kur Shqipëria pret anëtarësim në NATO vitin e ardhshëm dhe kur çështja e Kosovës ka hyrë sot në fazën përfundimtare të përcaktimit të statusit të saj. Për të folur për domethënien e kësaj vizite, Zëri i Amerikës i mori këtë intervistë shkrimtarit të shquar shqiptar Ismail Kadare.

Zëri i Amerikës: Zoti Kadare, që kur u njoftua vizita, në Shqipëri është folur shumë për të, është nga ato rastet e ralla që bashkon politikën shqiptare. Por unë doja të dija mendimin tuaj, në veprat tuaja, ndonëse artistike, ju keni trajtuar gjerësisht aspekte të marrëdhënieve të Shqipërisë me fuqi të mëdha, që nga perandoria otomane, Bashkimi Sovjetik, e deri tek Kina. Si e shihni ju sot afrimin e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara?

Ismail Kadare: Natyrisht, shprehja më e shpeshtë që po përdoret këto ditë dhe me të drejtë, kjo vizitë quhet historike. Ngaqë shprehja përdoret shpesh, nuk na duket kaq e fortë, po të kishim një tjetër më të fortë, natyrisht atë do të përdornim. Vizita është më se historike, vizita më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë në vendin tonë. Shqipëria i ka njohur raportet me shtetet e mëdhenj, me shefat e mëdhenj, si të thuash, për fatin e keq të saj. Pa dashur të zgjatem në histori, meqënëse ju e përmendët perandoninë otomane, le të kujtojmë që Mehmeti i Dytë, perandori i otomanëve, që pasi rrëzoi Kostandinopojën, domethënë rrëzoi gjysmën e qytetërimit të atëhershëm, erdhi në Shqipëri që të përgatitej për të sulmuar Evropën, ta bënte rafsh. Pas kësaj, Shqipëria për fat të keq u rrëzua bashkë me gjysmën e parë të qytetërimit evropian. Në jetën e saj të mëvonshme si shtet, Shqipëria ka njohur shumë miqësira, raporte, miqësira përgjithësisht të mbrapshta, me sovjetikë, me kinezë, me shefat e tyre. Por për një orientim të gabuar që ka patur, të gjitha këto kanë qënë ndesh me interesat e saj dhe bilanci i historisë shqiptare është përgjithësisht negativ, për shkak të tyre. Ka disa vite, e dinë të gjithë, që kjo gjendje u përmbys për fatin e mirë të kombit shqiptar dhe vizita e presidentit amerikan, do të shënojë kulmin e kësaj gjendje të re. Prandaj edhe një herë e përsëris, është një vizitë mëse historike, është ngjarja më e madhe, që ka ndodhur në historinë e kombit shqiptar.

Zëri i Amerikës: Në qoftë se i hedhim një vështrim marrëdhënieve më moderne, atyre të 15 viteve të fundit midis Shqipërisë dhe Amerikës, janë disa momente interesante, si marrëdhëniet e ngushta të krijuara menjëhere pas rënies së komunizmit, më pas ndodhi ajo që shqiptarët e quajnë, shpëtimi i Kosovës nga rregjimi i Millosheviçit, për të ardhur më tej tek lufta kundër terrorizmit. Çfarë është në qendër të kësaj miqësie midis një vendi të vogël dhe shtetit më të fuqishëm demokratik?

Ismail Kadare: Mendoj se është një dukuri jo fort e shpeshtë, por një dukuri shumë prekëse do të thosha, kur një shtet i vogël dhe një shtet i madh diçka i bashkon. Këtu gjithë njerëzit kanë në majë të gjuhës, në këto raste interesat, por nuk më duket se ka pasur ndonjë interes, as nga njëra palë as nga tjetra. Dihet që me rënien e komunizmit në mënyrë të vetvetijshme, populli shqiptar, pa qënë i organizuar nga ndonjë propogandë, nga ndonjë administratë për këtë gjë, shfaqi një dashuri të madhe, një shpresë të madhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I mësuar gjatë gjysmë shekulli, që ky shtet i madh demokratik të ishte nën kamzhikun e propogandës komuniste, populli shqiptar me intuitën e tij, dhe ishte nga gjërat më të mira që ka pasur në këtë intuitë, e kuptoi se ka qënë krejtësisht e kundërta. Ai orientimi i gabuar që u kthye në orientimin e duhur, domethënë ky kthimi i Shqipërisë drejt qytetërimit perendimor, që i kishte humbur, kjo gjë u shoqërua nga një dashuri tepër e sinqertë për shtetin më të madh perendimor. Ka gati 100 vjet që Shqipëria po kërkon t’i kthehet kontinentit që e ka humbur dhe ky kthim vërtetë ka qënë tepër i vështirë, derisa është kaq i gjatë dhe është interesante të kujtojmë që Shqipëria e humbi Evropën në kohën që Evropa po themelonte, po lindte Amerikën. Shikoni pra sa e vjetër është kjo dramë. Lidhja e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara është një lidhje e thellë, nuk është një lidhje thjesht konjukturale dhe politike. Për Shqipërinë Shtetet e Bashkuara nuk janë vetëm shteti më i madh demokratik i botës, ushtria e të cilit, siç thatë ju, ndërhyri, kryesoi në ndërhyrjen e aleancës së Natos në Kosovë për lirinë e popullit shqiptar. Shtetet e Bashkuara janë për kombin shqiptar kështjella kryesore e qytetërimit perendimor, do të shtoja e qytetërimit të rrezikuar perendimor. Prandaj duke shpallur miqësinë ndaj shtetit amerikan, Shqipëria shpall përkatësinë e saj në këtë qytetërim. Me aq forcë sa ka, me forcën e saj modeste ajo renditet në mbrojtjen e këtij qytetërimi.

Zëri i Amerikës: Shembulli më i mirë, i asaj që thatë ju “me aq forcë sa ka”, është mbështetja që Shqipëria po i jep sot luftës kundër terrorizmit që kanë filluar Shtetet e Bashkuara. Në këtë kuadër, edhe ju, një nga intelektualët më të njohur shqiptarë në botë, në fillim të kësaj lufte keni shkruar pro saj, në Francë, në një kohë që Evropa ishte dhe është skeptike. Sa ka ndikuar ky qëndrim i Shqipërisë, për marrëdhëniet e sotme shqiptaro-amerikane?

Ismail Kadare: Unë mendoj se sigurisht ka ndikuar sepse ju thashë, ne nuk propozuam shumë regjimente në këtë luftë, nuk kishim ndonjë teknikë të madhe ushtarake, por përkushtimin tonë dhe me sa duket në këtë luftë lot një rol ana morale. Domethënë këto janë gjëra të reja që po ndodhin në këto vitet e fundit, sikurse edhe lufta e Kosovës ka qënë një luftë e rallë me motive morale në historinë e botës. Prandaj janë gjëra të reja, për fat të mirë me vlerë të madhe, që po ndodhin dhe prandaj përkushtimi shqiptar në këtë luftë është prekës vërtetë. Prekës për aleatët tanë, prekës për ndërgjegjen tonë. Dhe ne pa çarë kokën për ironitë e tërthorta, pa komplekse, Shqipëria pra është bashkuar në këtë front sepse kjo aleancë perëndimore, ky qytetërim perendimor, është familja natyrale e shqiptarëve dhe ata mbrojnë në këtë rast familjen e tyre, aq sa janë, pavarësisht se janë të vegjël. Ne e dimë që jashtë këtij qytetërimi Shqipëria nuk ka jetë, prandaj kjo renditje është e natyrshme dhe e sinqertë.

Zëri i Amerikës: Shqipërisë mbështetja nga perëndimi nuk i ka munguar edhe më parë, megjithatë, shpesh, si rezultat i luftës së brendshme, madje edhe në këto momente që ne po flasim, Shqipëria vazhdon të jetë e tejkonsumuar nga politika e brendshme, duket se vendi ka humbur disa shanse. Sa dëmtohet Shqipëria, imazhi i saj, nga problemet e brendshme, nga fakti që gjithmonë thërret të huajt për ndihmë për të dalë nga kriza?

Ismail Kadare: Kjo është e vërtetë, imazhi që ne kemi përpara botës dhe këtë e dimë të gjithë, nuk ka nevojë për ta argumentuar. Do të thosha se ky imazh i keq, që është një fatkeqësi për ne, që jemi të detyruar të jetojmë siç jetohet me një sëmundje, që e kap nganjëherë njeriun, e kap edhe një popull, të jetojmë ca kohë me këtë sëmundje duke shpresuar që do të kalojë. Ky imazh i keq përpara se të krijohet nga gangsterët apo prostitutat, sepse është gjetur një alibi si të thuash, se këta na prishin punë, mendoj se e krijon tjetër gjë, mendoj se e krijon niveli i ulët i politikës shqiptare, ajo që thatë ju, ky konsumizëm politik i lodhshëm dhe aspak i këndshëm për veshin tonë, pa le pastaj për veshin e të huajve. Makina e politikës shqiptare është e ndryshkur, e prapambetur, punon shtrak e shtruk, ngaqë është e prishur nga urrejtja. Maksima e njohur, që çdo popull ka atë qeverisje që meriton, mendoj se në Shqipëri po kthehet në të kundërtën. Ky popull ka pikërisht atë qeverisje që nuk e meriton. Shqipëria meriton më shumë. Vizita e presidentit amerikan mendoj e vërteton ndër të tjera edhe këtë gjë, se Shqipëria meriton më tepër.

Zëri i Amerikës: Zoti Kadare, të kthehemi edhe një herë tek vizita e Presidentit Bush. Ndonëse po bëhet në Shqipëri, vizita ndodh në një moment kur Kosova është shumë pranë zgjidhjes së statusit të saj. Në këtë kuptim, çfarë ndikimi do të ketë kjo vizitë?

Ismail Kadare: Mendoj se vizita do të ketë ndikim për të dhënë mesazhin që Ballkani është i rëndësishëm për Evropën, por nuk duhet harruar që Shqipëria është e rëndësishme për Ballkanin. Prandaj ka një lidhje logjike midis paqes dhe stabilitetit në Evropë, me stabilitetin e këtij gadishulli dhe stabiliteti i këtij gadishulli nuk mund të kuptohet pa Shqipërinë, se Shqipëria është një vend i rëndësishëm. Është bërë prej vitesh një propogandë që Shqipëria është një vend i vogël, një vend i parëndësishëm. Kanë dashur me këtë gjë madje të sugjestionojnë edhe vetë shqiptarët që t’i krijojnë një kompleks, domethënë kompleksin e vogëlsisë që është një nga më të këqinjtë e më të rrezikshmit për një popull. Prandaj kjo vizitë, nga kjo anë, është shumë e rëndësishme dhe ne duhet të jemi jashtëzakonisht të ndërgjegjshëm për këtë gjë, sepse një popull duhet të kuptojë kur i troket e keqja në port. Por një popull gjithashtu, po aq ka rëndësi të kuptojë kur i troket e mira. Ne duhet të presim me dashuri dhe brohoritje presidentin amerikan dhe kjo është e natyrshme por ndërkaq s’duhet të harrojmë se bashkë me to ne duhet të kuptojmë përse ai vjen, pra atë që thatë ju. Ai është mysafiri i kombit shqiptar, më i madhi mysafir që ka ardhur tek ne deri më sot. Me fjalë të tjera ai është mysafiri i lirisë sonë dhe i shpresës sonë. //rd//

XS
SM
MD
LG