Lidhje

Lavrov akuzon Britaninë për politizimin e vrasjes së ish agjentit rus Litvinenko


Britania hodhi poshtë akuzat ruse se po e kthen çështjen e vrasjes së ish spiunit rus, Aleksandër Litvinenko, në një fushatë politike.

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme tha se Britania nuk ka dëshirë që të acarojë marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve. Ai e cilësoi vdekjen e Litvinenkos si një çështje kriminale tepër serioze, që vuri në rrezik qindra qytetarë britanikë dhe vizitorë në Londër.

Po sot, Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, akuzoi Britaninë për politizimin e vrasjes së ish spiunit rus, Aleksandër Litvinenko.

Ministri Lavrov tha sot se Britania po e shndëron këtë çështje kriminale në një fushatë politike. Ministri i jashtëm rus tha se kjo çështje po ndikon në marrëdhëniet midis Moskës dhe Londrës.

Dje, i dyshuari kryesor për helmimin e Litvinienkos, afaristi rus dhe ish agjenti i zbulimit Andrei Lugovoi thotë se ish agjenti i zbulimit rus punonte si agjent britanik. Lugovoi u tha gazetarëve në Moskë se agjentët britanikë ishin përpjekur të rekrutonin edhe vetë atë. Ai tha gjithashtu se vrasjen ka mundësi ta ketë kryer zbulimi britanik.

Britania kërkoi zyrtarisht javën e kaluar ekstradimin e Lugovoit, por autoritetet ruse thanë se kushtetuta e vendit nuk e lejon një gjë të tillë.//iç//

XS
SM
MD
LG