Lidhje

SHBA do të ngrenë pagesat për aplikimet nga imigrantët


Gjatë vizitës të martën në një qendër stërvitjesh për patrullimin e kufirit në shtetin e Xhorxhias, presidenti Bush u bëri thirrje anëtarëve të Kongresit amerikan të tregojnë guxim dhe të miratojnë reformën e gjerë të imigracionit. Zoti Bush tha se objektivi kryesor është që miliona banorë të paligjshëm të mos qendrojnë të fshehur dhe të vendoset një procedurë për t'u dhënë atyre status të ligjshëm dhe eventualisht shtetësinë amerikane. Por ndërkohë që Presidenti mbështet një reformë të tillë, Shtetet e Bashkuara janë gati të vënë në zbatim ngritjen më të madhe ndonjëherë të pagesës për shqyrtimin e formularëve të atyre që kërkojnë banim të përhershëm dhe qytetërinë amerikane. Ndërkohë, ata që mbështesin imigrantët thonë se administrata e presidentit Bush po i dërgon mesazhe të paqarta një komuniteti shpesh të trembur e të pambrojtur.

Për të ardhurit e rinj, si të ligjshëm ashtu edhe pa dokumenta, kostoja për t’u bërë pjesë e ëndrrës amerikane, do të ngrihet së shpejti ndjeshëm. Agjencia amerikane për shtetësinë dhe imigracionin do të ngrejë pagesat për shumicën e kërkesave me 60 përqind. Pagesa për të marë banim të përhershëm do të arrijë në gati 1 mijë dollarë, ndërsa për shtetësinë rreth 600 dollarë.

Disa thonë se pagesat e larta synojnë të minojnë objektivat e deklaruara nga presidenti Bush lidhur me imigracionin. Kristël Uilliams, nëndrejtoreshë e Shoqatës Amerikane të Avokatëve mbi Imigracionin, thotë se ngritja e pagesave të aplikimit do të bëjë që shumë njerëz të vazhdojnë të qëndrojnë me status ilegal. Sipas saj, pagesat e reja përbëjnë një pengesë të madhe financiare, që do të detyrojë një numër të madh imigrantësh të varfër të shtyjnë aplikimin, madje edhe të mos e kërkojnë atë fare.

Por zyrtarët në Agjencinë për shtetësinë dhe imigracionin thonë se kjo agjenci nuk mer fonde nga qeveria federale për të shqyrtuar aplikimet. Kostoja mbulohet krejtësisht nga pagesat e aplikantëve. Ata thonë se pa ngritjen e pagesave, që të pasqyrojnë koston, shërbimet do të shkurtohen dhe koha e pritjes për aplikantët do të shtohet. Ja si shprehet zëdhënësi i kësaj agjencie, Kris Bentli.

“Ne e kuptojmë se kurdoherë që ngrihen pagesat krijohet një mbi ngarkesë financiare, që dëmton shumë njerëz. Por në mënyrë që të vazhdojmë të japin shërbimin e duhur dhe përfitimet brënda një kohe të përshtatshme për njerëzit që i meritojnë ato, ne na duhen burimet përkatëse.”

Zëdhënësi Bentli shton se refugjatët dhe ata që kërkojnë azil nuk do të paguajnë, madje disa pagesa mund të reduktohen për aplikantë, që përballen me vështirësi të mëdha ekonomike.

Por nëse puna e agjencisë amerikane për shtetësinë dhe imigracionin varet krejtësisht tek pagesat e aplikantëve, atëhere, siç shprehet Donald Kervin i agjencisë katolike për imigracionin e ligjshëm, ka ardhur koha që të ndryshohet sistemi.

“Shtetësia është e mirë për vendin, madje edhe e rëndësishme. Ne mendojmë se që të rregullohet sistemi, të shqyrtohen aplikimet në kohë dhe të përmirësohet teknologjia, duhet të ekzistojnë fondet e duhura. Sistemi nuk duhet të mbështetet thjeshtë tek pagesat e aplikanëtve.”

Disa anëtarë të kongresit thonë se do të ishte gabim që ngarkesa financiare t’u kalohet taksapagusve amerikanë. Kongresmeni republikan nga shteti Ajova, Steve Kris thotë se pagesat e reja janë shumë më të ulëta sesa shumat që imigrantët e paligjshëm u paguajnë tipikisht kontrabandusve për të kaluar kufirin me Meksikën.

“Imigrantët e paligjshëm janë gati të paguajnë 1 mijë e 500 deri në 2 mijë e 500 dollarë për person që të kalojnë ilegalisht kufirin. Asnjë pagesë e agjencisë për shtetësinë dhe imigracionin nuk është kaq e lartë. Në se është më lirë të bëhesh shtetas amerikan sesa të transportohesh ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, atëhere nuk mendoj që pagesat janë të larta.”

Zyrtarët e imigracionit mbrojnë gjithashtu sistemin e pagesave, duke thënë se siguron një fleksibilitet shpenzimesh me që të ardhurat ngrihen pjesërisht ndaj çdo ngritje në aplikime. Ata thonë se ngritjet e mëparshme të pagesave nuk kanë çuar në pakësimet drastike të aplikimeve për banim të përhershëm apo shtetësi.

Mrojtësit e imigrantëve nga ana e tyre thonë se ngritja e tanishme e pagesave ëshrë shumë më e lartë sesa të mëparshmet. Ata vënë gjithashtu në dukje studime që tregojnë se përqindja e aplikantëve, imigrantë të ligjshëm, për shtetësinë amerikane, ka rënë gjatë dekadave të fundit. Mendimet rreth shkakut të kësaj rënieje janë të ndryshme, por mbrojtësit e imigrantëve thonë se ngritja e kostos për imigrantët që të aplikojnë për banim të përhershëm ose shtetësi amerikane shërben vetëm si pengesë e mëtejshme. //ze//

XS
SM
MD
LG