Presidenti Bush vendosi sanksione të reja ekonomike mbi Sudanin për t'i bërë trysni qeverisë së Kartumit të ndalë dhunën në rajonin e Darfurit.
Në një fjalim të shkurtër sot në Shtëpinë e Bardhë, zoti Bush njoftoi masën kundër 31 kompanive sudaneze që bëjnë biznes në Shtetet e Bashkuara, ose që përdorin sistemin financiar amerikan.
Zoti Bush bëri thirrje gjithashtu, për një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit që do të zgjerojë embargon e armëve në Sudan. Presidenti përsëriti qëndrimin e tij, se situata në Darfur ka përmasat e një gjenocidi dhe se bota duhet ta ndalë atë.
Ai akuzoi gjithashtu presidentin sudanez Omar al-Bashir, për përpjekje në pengimin e paqes dhe shkeljen e premtimit për të të lejuar forca paqeruajtëse të OKB-së në rajon.//lk