Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian hodhën sot një hap të ri për të mbështetur Shqipërinë në luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit. Me projekte të posaçme të Uashingtonit dhe Brukselit filloi stërvitja e hetuesve më të mirë të Shqipërisë, pjestarë të zyrës së përbashkët hetimore, që u krijua sot midis Ministrisë së Financave, dhe asaj të Brendshme, Prokurorisë dhe Shërbimit Sekret.
Ambasadore e SHBA në Shqipëri, Marsi Ris, tha në ceremoni se njësia e sapokrijuar është një përpjekje për të shtuar bashkëpunimin e profesionistëve më të aftë të vendit në një zyrë të vetme, për të ndjekur krimet më të vështira, me ndihmën teknike të SHBA, ndihmë e cila tashmë ka filluar.
"Përzgjedhja e njerëzve të duhur në përbërjen e kësaj zyre është me rëndësi themelore, ndaj emërimet aty duhen shqyrtuar me kujdes. Ka shumë mënyra për të luftuar korrupsionin dhe krimin ekonomik, por mënyra më e dukshme dhe më e efektshme është ajo e hetimit dhe dënimit të shkelësve të ligjit. Kjo është një detyrë e vështirë që kërkon shumë aftësi dhe durim, por kërkon gjithashtu edhe hetues e prokurorë kurajozë e profesionistë të përkushtuar që punojnë së bashku".
Viktimat e krimit ekonomik dhe korrupsionit janë njerëzit më të varfër dhe më të dobët të shoqërisë, tha ambasadorja Ris. Hetimi i krimit ekonomik është gjithashtu i rëndësishëm për ekonominë. Ky lloj krimi nxjerr fitime duke mos paguar tarifat doganore dhe taksat, të cilat i duhen qeverisë për arsimin, shëndetësinë dhe shërbime të tjera sociale. Në rast se nuk dënohen ata që shkelin rregullat, shoqëria nuk do të zbatojë rregullat vetë.
Zyra e përbashkët hetimore po mbështetet fort edhe nga Bashkimi Europian. Kryetari i Delegacionit të Komisionit Europian, amb. Helmut Lohan, tha se zyra e re do të fuqizojë hetimet mbi këto lloj krimesh, dhe do të përmirsojë ekonominë, si dhe do të ndryshojë imazhin e Shqipërisë në rrugën e saj të anëtarësimit drejt bashkimit europian. "Krijimi i kësaj njësie është një ndër kërkesat krysore afatshkurtra për bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe për të arritur anëtarësimin në të. Ngritja e kësaj njësie ka një rëndësi të madhe edhe për të treguar bashkisë ndërkombëtare një perceptim të ri brenda dhe jashtë Shqipërisë mbi seriozitetin dhe përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin dhe rkimin ekonoimik". Krijimi i kësaj njësie do të rritë besimin në sistemin e drejtësisë dhe në qarqet ekonomike për të bërë investime dhe bizneset e huaja me shqiptarët dhe me Shqipërinë.