Lidhje

Prokurorët britanikë akuzojnë një ish agjent rus për vrasjen e Litvinenkos


Prokurorët britanikë akuzuan një ish agjent rus për vrasjen e emigrantit rus Aleksandër Litvinenko, vitin e kaluar në Londër dhe shtuan se do të kërkojnë ekstradimin e tij.

Sekretarja e Jashtme britanike Margaret Beket thirri ambasadorin rus për t’i thënë që Londra pret bashkëpunimin e plotë të Moskës për të nxjerrë para drejtësisë britanike, ish agjentin rus të kthyer në afarist, Andrei Lugovoi. Por një zëdhënëse e zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm rus tha sot se kushtetuta e vendit nuk lejon dorëzimin e shtetasve rus tek vende të tjera. Ajo nuk përjashtoi mundësinë që Lugovoi të gjykohet në Rusi.

Kjo përplasje pason hetimet e muajit të fundit për vdekjen e Litvinenkos, një kritik i ashpër i Kremlinit, i cili vdiq në Londër më 23 nëntor, i helmuar me substancë radioaktive. Lugovi i hodhi përsëri poshtë akuzat dhe tha se çështja penale e hapur kundër tij është e motivuar politikisht.

E shoqja e Litvinenkos, Marina, e vlerësoi vendimin britanik për ngritjen e akuzave kundër Lugovoit dhe i bëri thirrje qeverisë ruse të bashkëpunojë për të provuar se ajo nuk është e implikuar në vrasjen e bashkëshortit të saj.//rd//

XS
SM
MD
LG