Lidhje

Identiteti mysliman në kulturën perëndimore


Analistët thonë se ekziston një konflikt brenda islamizmit, ndërsa të moderuarit dhe radikalët ndërmarrin një luftë ideologjike për të drejtën që të përfaqësojnë komunitetet myslimane në rritje në shoqëritë perëndimore. Kohët e fundit në Uashington u zhvillua një diskutim rreth tensioneve që ekzistojnë aktualisht në botën islame.

Islamizmi, i krahasuar me besimet e tjera të mëdha fetare, nuk ka një institucion mbikqyrës, që të kodifikojë rregullat për komunitetin e dytë më të madh fetar në botë. Një presje tre miliardë myslimanët e botës e interpretojnë Kuranin në mënyra të ndryshme, duke lënë kështu vend për hapjen e shkollave të ndryshme, përfshirë edhe shkollën radikale, rreth mësimeve të vetë thelbit së Islamizmit.

Zejno Baran, analiste me Institutin Hadson në Uashington, thotë se myslimanët nuk bëjnë dallime midis shumë interpretimeve komplekse të fesë së tyre. Por siç thekson ajo, është shumë e rëndësishme të ndahen konceptet e islamit nga islamizmi.

“Islamizmi nuk është një besim fetar, apo shpirtëror. Islamizmi është një ideologji politike”,- tha ai.

Islamistët përpiqen t’i imponojnë shoqërisë besimet e tyre fetare si ligje, edhe nëpërmjet formave të dhunshme. Ligji islamik, i njohur si Sharia, përshkruan dhe kodifikon ligjërisht çdo aspekt të jetës personale dhe asaj shoqërore. Shpesh ky ligj kërkon atë që Perëndimorët e shikojnë si dënim drastik, por edhe trupor, për veprime që shikohen si të papranueshme.

Junis Kuandill, profesor francez i aspekteve politike të islamit, thotë se ekziston një papajtueshmëri e trashëguar e islamizmit me një shoqëri perëndimore, që mbështet pluralizmin dhe barazinë.

"Ndërsa ligji islamik Sharia pranohet si një besim dhe kulturë personale, ai nuk mund të shërbejë si kod ligjor në një shoqëri demokratike. Ne nuk mund ta përzjejmë ligjin islamik Sharia, i ardhur drejtëpërdrejtë nga Allahu, me demokracinë. Një prej rregullave të demokracisë është se ne nuk mund t’i shndërojmë në ligje konceptet tona të mirësisë”,- thotë ai.

Zuhti Jaser kryeson Forumin Islamik për Demokraci në Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se që të jesh mysliman i moderuar në Perëndim do të thotë që të bësh më shumë se sa dënimin e dhunës, duhet të marrësh pjesë aktivisht në proceset demokratike, duke përfshirë debatimin e çështjeve të rëndësishme dhe vënien para përgjegjësisë të autoriteteve.

Zoti Jaser u bën thirrje myslimanëve që të analizojnë me kujdes interpretimet e ndryshme të besimit të tyre fetar, në vend që të marrin si të mirëqëna disa përcaktime që mund të çojnë në dhunë dhe radikalizëm.

Naser Kader është themelues i organizatës "Myslimanët Demokratikë", një prej organizatave më të mëdha myslimane në Danimarkë, si dhe anëtar i parlamentit danez. Zoti Kader thotë se qeveritë perëndimore duhet të ndjekin politika që e bashkojnë islamin me demokracinë.

“Mendoj se ajo që duhet bërë është që myslimanët të mos i thonë JO fesë së tyre, por t’i thonë PO demokracisë dhe modernizimit”, - thotë ai.

Zoti Kader ve në dukje, se islamistët radikalë në të gjithë botën janë shumë më të organizuar se sa myslimanët e moderuar. Ai propozon që myslimanët e moderuar të organizojnë një rrjet ndërkombëtar, i cili do t’i kundërvihej ideologjisë radikale islamike.

“Anti-islamizmi nuk është njësoj si të jesh anti-mysliman. Por të jesh islamist është njësoj si të jesh anti-demokrat”,- thotë ai.//lk

XS
SM
MD
LG