Lidhje

Në Shqipëri, policia sekuestroi sot 10 kilogram lëndë narkotike


Në Shqipëri, policia sekuestroi sot 10 kilogram lëndë narkotike e cila dyshohet të jetë e llojit kokainë, një nga drogat më të forta dhe më të shtrenjta. Dy policë kursantë janë përfshirë në këtë trafik, prej të cilëve njëri u arrestua ndërsa tjetri është në kërkim. Zbulimi i sasisë së drogës u bë falë një operacioni ku u angazhuan agjentë të sektorit antidrogë dhe ata të njësive speciale, së bashku me prokurorinë e krimeve të rënda. Aksioni i koduar me emrin “Butik” u realizua edhe falë bashkëpunimit me Guardia di Financa italiane të Vareses. Droga ishte fshehur mes dy pakove me veshmbathje të nisura me postë nga Brazili duke kaluar tranzit në aeroportin italian të Milanos. Jamarbër Qinami, polic kursant është arrestuar në flagrancë pranë zyrave të shërbimit postar, ku ai kishte marrë në dorëzim pakot. Ai dyshohet se ka bashkëpunuar dhe me një kolegun e tij Gjon Kola për të cilin prokuroria ka lëshuar një urdhër ndalimi dhe ndaj tij është shpallur kërkimi.

XS
SM
MD
LG