Nënpresidenti amerikan Dik Çeni u takua në Emiratet e Bashkuara Arabe me udhëheqës të lartë të këtij shteti të moderuar arab të Gjirit persik. Takimi me presidentin Sheik Halifa bin Zyed Al Nahyan dhe zyrtarë të tjerë është pjesë e vizitës së tij në Lindjen e Mesme për të kërkuar përkrahje për qëndrueshmërinë në Irak. Dje, Zoti Çeni tha se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera do të qëndrojnë së bashku për të mos lejuar Iranin të zhvillojë programin e armëve bërthamore dhe të mbizotërojë Lindjen e Mesme. Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhat ka në plan të vizitojë së shpejti Emiratet e Bashkuara Arabe. Irani ka mohuar se po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore. Sot nënpresidenti Çeni shkon në Arabinë Saudite. Kohët e fundit, mbreti saudit Abdullah e cilësoi praninë ushtarake amerikane në Irak një pushtim të huaj të paligjshëm./al/