Lidhje

Ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, viziton Uashingtonin


Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha filloi të hënën vizitën në Uashingotn, në prag të takimit që pritet të ketë të martën me Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs. Zoti Basha po zhvillon sot takime në Kongresin amerikan. Ai u takua me senatorin demokrat nga shteti Kenerikat, Xhozef Liberman, i cili e uroi atë për pozitën e tij të re si Ministrër i Jashtëm dhe i uroi sukses në punën e tij.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe ish sekretari amerikan i sigurimit kombëtar, Tom Rixh, i cili është angazhuar në përpjekjet lobiste këtu në Uashington në emër të qeverisë shqiptare, senatori Liberman e inkurajoi ministrin Basha që të udhëtojë në vendet anëtare të NATO-s për të bërë të qartë punën e qeverisë së tij në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe në zbatimin e reformave të nevojshme për t’u integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Ish kandidati presidencial Liberman e pyeti ministrin e jashtëm shqiptar në se Kosova është ekonomikisht e aftë që të mbijetojë. Zoti Basha u përgjigj duke thënë se mundësitë e Kosovës për të pasur sukses në të ardhmen janë po aq të mira sa edhe ato të disa prej vendeve të ish Jugosllavisë. Përcaktimi i statusit të Kosovës, tha ai, është e vetmja gjë që pengon shumë gjëra në Kosovë.

Gjatë bisedës që pati me senatorin Liberman, ministri Basha e përqëndroi fjalën e tij, duke shprehur qëndrimin dhe shqetësimin e qeverisë dhe të vendit të tij lidhur me dy çështje: Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe zgjidhja e statusit të Kosovës.

I pyetur nga Zëri i Amerikës, para takimit me senatorin Liberman, rreth synimit të vizitës së tij në Uashington, ministri i jashtëm Basha përsëri misionin e dyfishtë të vizitës të tij.

“Qëllimi i vizitës është takimi nesër me sekretaren amerikane të shtetit Kondolisa Rajs. Janë organizuar edhe disa takime të tjera me zëvëndës-sekretarin e mbrojtjes Inglënd, me këshilltarin e presidentit Bush për çështjet e Evropës, me tre senatorë, me një numër kongresmenësh, me një numër organizatash jo-qeveritare si dhe organizata të tjera, të cilat kanë shprehur interesim për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin e Ballkanit në përgjithësi. Gjatë kësaj vizite, pikat kryesore në axhendën time janë integrimi në NATO dhe zgjidhja sa më parë e statusit të Kosovës”.

Vizita e ministrit të jashtëm të Shqipërisë në Uashington zhvillohet në një periudhë të rëndësishme për rajonin e Ballkanit, kur pritet të përcaktohet statusi i Kosovës. Zoti Basha vjen gjithashtu në Uashington ndërkohë që është njoftuar se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh W. Bush do të vizitojë Shqipërinë muajin e ardhshëm. Ministri i Jashtëm shqiptar e cilësoi si historike vizitën e presidentit Bush në Shqipëri.

“Vizita e presidentit Bush në Shqipëri është më shumë se thjeshtë një vizitë e rëndësishme, ajo është një vizitë historike për shqiptarët e Shqipërisë e të gjithë rajonit. Për qeverinë shqiptare kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë pasi jemi në një moment deçiziv për të demonstruar para komunitetit ndërkombëtar arritjet e Shqipërisë në fushën e reformave ekonomike, politike dhe ushtarake, rritjen e rolit të Shqipërisë si një faktor stabiliteti në rajon, nevojën për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe të dy vendeve të tjera në NATO, dhe për një zgjedhje përfundimtare e të qëndrueshme të statusit Kosovës në funksion të stabilitetit rajonal dhe evropian.”

Ministri i Jashtëm Basha vazhdon vizitën në Uashtinton me disa takime, përfshirë edhe atë me senatorin republikan nga Nebraska Çak Hejgëll. Të martën në mëngjes, zoti Basha do të takohet në departamentin amerikan të shtetit me sekretaren e shtetit, Kondolisa Rajs. //ze//

XS
SM
MD
LG