Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi amerikan rifillojnë këtë javë negociatat mbi variantin e ri të projekt-ligjit për fondet e luftës. Të dyja palët kanë mbajtur një ton bashkëpunimi, por nuk ka shenja se do të gjendet një zgjidhje e shpejtë:
Ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit ka një hendek të madh kur është fjala tek projekt-ligji i rishikuar mbi fondet e luftës. Shtëpia e Bardhë nuk do të shohë në projekt-ligj afate për tërheqje nga Iraku. Udhëheqja e Partisë Demokrate në Kongres fillimisht bëri presion për përfshirjen e një afati kohor, por tani thotë se mund të pranojë përfshirjen e objektivave specifike dhe pasojave që lidhen me mospërmbushjen e këtyre objektivave nga qeveria irakiane.
Republikani më i lartë në Dhomën e Përfaqësuesve – udhëheqësi i pakicës Xhon Boner nga Ohajo, thotë se nuk sheh ndonjë problem nga përfshirja e një numër objektivash dhe standartesh në projekt-ligj. Por ai e ka bërë të qartë se partia e tij nuk do të pranojë asnjë projekt-ligj që ndëshkon irakianët nëse nuk arrijnë t’i përmbushin këto objektiva brenda një afati kohor. "Unë jam pro caktimit të objektivave për sukses. Por nuk dua që të ketë objektiva të shoqëruar nga afate kohore artificiale, të cilat në fund rezultojnë në kufizimin e fondeve dhe çojnë në dështim në Irak."
Gjatë një interviste për emisionin televiziv Fox News dje, ligjvënësit Boner iu drejtua pyetja nëse pritet të ndryshojë mbështetja e republikanëve për luftën në periudhën afat-gjatë. Ai pohoi se nëse nuk ka shenja përparimi në një periudhë pak a shumë 4 muajshe, republikanët në Kongres mund të fillojnë të rishikojnë qëndrimin e tyre: "Kur të vijë shtatori e më pas tetori, anëtarët republikanë do të kërkojnë të dinë sa përparim ka sjellë kjo strategji. Dhe nëse nuk ka pasur përparim do të kërkojnë një plan alternativ."
Pak kohë më pas, senatori demokrat Çarles Shumer la të kuptohej se nuk do të mbetej i habitur nëse një skenar i tillë bëhej realitet: "Mendoj se vullneti për të vazhduar të ndjekim të njëjtin kurs për republikanët në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve do të fashitet shpejt."
Senatori Shumer tha në emisionin Late Edition të CNN-it se demokratët do të vazhdojnë të ushtrojnë trysni për ndryshime në politikat e adminitratës për Irakun. Ai hodhi poshtë idenë e ligjvënësit republikan Boner për një projekt-ligj që të përfshijë objektiva për irakianët, pa i shoqëruar këto objektiva me pasoja: "Mendoj se duhet t’i bëjmë këto objektiva të imponueshme. Kemi pasur prej kohësh objektiva, por ato deri tani nuk janë përmbushur."
Javën e kaluar, Presidenti Bush i vuri veton variantit të parë të projekt-ligjit për fondet e luftës, i cili ishte miratuar nga Kongresi i kontrolluar nga demokratët. Në projekt-ligj përfshihej kërkesa për tërheqje. Megjithëse demokratët kishin shumicën e nevojshme për të siguruar miratimin e projekt-ligjit në Kongres, ata nuk arritën të tërheqin në anën e tyre edhe një numër të mjaftueshëm republikanësh për të mbështetur me 2 të tretat projektligjin, gjë që do ta kishte bërë të pavlefshme veton.
Udhëheqësit në Kongres thonë tani se duan të përfundojnë punën për zëvendësimin e projekt-ligjit të mëparshëm brenda këtij muaji. Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, megjithëse e pranojnë se procesi legjislativ është i gjatë dhe i ndërlikuar, kanë shprehur dëshirën që projekt-ligji të kalojë votimin në Kongres dhe t’i paraqitet Presidentit shumë më shpejt. //ad//