Lidhje

Shërbimi sekret amerikan fillon të ruajë senatorin dhe kandidatin presidencial, Barak Obama


Megjithëse mbeten plot 18 muaj deri në zgjedhjet presidenciale, shërbimi sekret amerikan ka filluar të ruajë qysh tani senatorin demokrat dhe kandidatin për president Barak Obama.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë se vetë senatori Obama e kishte kërkuar një shërbim të tillë. Senatori tjetër demokrat nga shteti Ilinoi, Richard Durbin, u tha gazetarëve se kishte marrë informacione të cilat bënë që ai të preokupohej për sigurinë e zotit Obama, duke përfshirë disa komente raciste në Internet.

Senatori Obama kandidon për t’u bërë Presidenti i parë afrikano-amerikan i vendit.

Normalisht, mbrojtja e kandidatëve presidencialë nga ana e shërbimit sekret bëhet vetëm gjatë vitit të zgjedhjeve. Senatori Durbin tha se ishte shqetësuar gjithashtu nga fakti që zoti Obama grumbullon njerëz të shumtë gjatë veprimtarive të tij të fushatës.

Edhe senatorja e Nju Jorkut dhe kandidatja presidenciale Hillari Klinton ruhet nga shërbimi sekret por kjo lidhet me statusin e saj si ish zonjë e parë e Amerikës. //ze//

XS
SM
MD
LG