Lidhje

Udheheqësit botërorë vlerësojnë figurën e Jelcinit


Ish Presidenti rus, Boris Jeltsin, i cili vdiq dje në moshën 76-vjeçare qendroi në krye të vendit nga viti 1990 kur Rusia u shpërbë e deri sa dha papritur dorëheqjen më 31 dhjetor 1999. Gjatë gjithë atyre viteve ai e udhëhoqi Rusinë në një nga periudhat më të trazuara në historinë e saj. Më poshtë do t’i hedhim një vështrim imazhit që Boris Jelsini krijoi për vete dhe për vendin.

20 gusht 1991. Boris Yeltsin hipën mbi një tank dhe hyn kështu në librat e historisë. Atë ditë, qendrimi sfidues i presidentit të sapozgjedhur i frymëzoi rusët dhe i dha një goditje të fortë përpjekjes së komunsitëve radikalë për grusht shteti kundër udhëheqësit sovjetik, Mikhail Gorbachev. Ja ç’thotë Andre de Neshnera, i cili ishte shef i zyrës së Zërit të Amerikës në Moskë. "Njerëzit do ta kujtojnë gjithmonë pamjen e Yelsinit mbi tank, duke komanduar forcat, të cilat në thelb nuk e lejuan realizimin e grushtit të shtetit", thotë zoti de Neshnera.

Kjo shënoi gjithashtu fillimin e fundit të Bashkimit Sovjetik. Vetëm katër muaj më pas, Gorbachevi dha dorëheqjen, Bashkimi Sovjetik nuk ekzistonte më dhe Boris Yeltsin-i kishte dalë si udhëheqës i Rusisë së pavarur. Ai shihej si njeri i popullit por, thotë gazetari De Neshnera, Yelsini do të mbahet mend edhe si njeri i kontradiktave: "Katër vjet më vonë, kur pati probleme me parlamentin e zgjedhur me votë të lirë, zotit Yelsin iu desh të përdorë forcën për të bombarduar ndërtesën e parlamentit. Nga njëra anë, ai ishte sigurisht politikan i stilit perëndimor me dëshirën për të sjellë ndryshime në Rusi. Nga ana tjetër, ai kishte pikpamje dhe veprime autoritare të cilat kanë lenë gjurmë negative në trashëgiminë e tij".

Jelsini lindi në një familje fshatare të Uraleve afër Sverdlovskut, që tani quhet Jekaterinburg. Ai u ngrit në radhët e Partisë Komuniste dhe u bë shef i partisë për Moskën. Jelsini kultivoi imazhin e mbrojtësit të popullit dhe nuk u dha pas privilegjeve të zakonshme që sjell pushteti, madje ndonjëherë merrte autobusin ose metronë në vend që të udhëtonte me vetura luksoze. Por pikërisht ajo që e bënte Jelsinin popullor, e vinte atë shpesh kundër udhëheqjes sovjetike.

Në vitin 1987, ai kritikoi publikisht Gorbaçovin dhe për këtë u ndëshkua duke u shkarkuar nga postet partiake. Por katër vjet më vonë ai u bë presidenti i parë i Rusisë i zgjedhur me votë popullore. Në vitin 1996, megjithë rënien ekonomike dhe dështimet në luftën e Çeçenisë, Jelsini u rizgjodh, duke e mposhtur rivalin e tij komunist me një diferencë të ndjeshme votash. Pak ditë para zgjedhjeve, ai pati një atak në zemër, u desh të bënte disa bajpase dhe qendroi mënjanë për më tepër se gjashtë muaj.

Jelsini u rikthye i fortë për një farë kohe, por nuk kaloi shumë dhe streset e postit dhe alkoholi bënë të tyren. Në vigjiljen e Vitit të Ri 1999, kur i mbeteshin vetëm gjashtë muaj deri në mbarim të mandatit, Jelsini dha dorëheqjen, duke ia dorëzuar pushtetit pasardhësit të zgjedhur prej tij, Vladimir Putin. Rënia politike dhe shëndetësore ia veniti emrin si babai i demokracisë ruse. Por me kalimin e kohës, opinioni për të u zbut. Reputacioni i tij mund të ketë mbetur ende i dëmtuar për shkak të gafave të viteve të tij të fundit si president por ajo që mbetet ende e gjallë në kujtesën e njerëzve është Boris Jeltsin-i mbi tank, duke sfiduar komunistët dhe ndihmuar Rusinë të flakte tej të kaluarën sovjetike. //rd//

XS
SM
MD
LG