Lidhje

Vdes shkrimtari dhe gazetari i njohur David Halberstam


Në shumë aspekte jeta e David Halberstam-it ishte një rast tipik i suksesit në Amerikë. Bir imigrantësh hebrej nga Evropa Lindore ai ndoqi një nga shkollat më të mira të Shteteve të Bashkuara, Universitetin Harvard në Cambridge të shtetit Massachusetts. Por ashtu ,siç e pranonte edhe vetë, ai nuk kishte qënë student shumë i mirë.

"Unë isha një njeri që pata më shumë sukses pasi mbarova shkollën. Unë u përqendrova gjithnjë e më tepër në gazetari. Mendoja se kisha talent për të. Unë shkruaja në gazetën e universitetit dhe jepja më shumë në 'Harvard Crimson' se sa si student në Harvard".

Ajo që e tërhoqi më shumë Halberstamin ishte pozita e tij aktive në sytë e publikut, pa qënë politikan dhe pa bërë fushatë për poste publike.

“Nuk ishte e nevojshme të ishe i pashëm, nuk ishte e nevojshme të ishe i pasur, por duhet të veproje me ndërgjegje dhe të kishe besim se një nga gjërat më të rëndësishme ishte idea e drejtësisë dhe për mendimin tim gazetarët e mirë mund të kontribojnë në këtë drejtim”.

David Halberstam lindi më 10 prill 1934 në New York. Babai i tij ishte kirurg dhe nëna mësuese.

Pas diplomimit nga Universiteti Harvard, Halberstami filloi punë në gazetën e përditëshme "Daily Times Leader" në Westpoint të Mississippit. Që prej atëhere dhe pak më vonë në të përditëshmen më të madhe, "Nashville Tennessean" -- David Halberstam botoi artikuj interesantë dhe analitikë për zgjerimin e lëvizjes së të drejtave civile në jugun amerikan.

Artikujt e tij për përpjekjet e afrikano-amerikanëve dhe të të tjerëve në Shtetet e Bashkuara për eliminimin e pengesave ligjore dhe morale raciale tërhoqën vemendjen e gazetës prestigjioze "New York Times". Dhe në fillim të viteve 60-të, Halberstam e gjeti veten papritur në Vietnam, duke raportuar për konfliktin në Azinë Juglindore për audiencën amerikane.

Në raportet tij David Halberstami vinte shpesh në pikpyetje versionin zyrtar të asaj që po ndodhte në Vietnam. Përpjekjet e tij nuk u pritën mirë nga administratat e Presidentëve Kennedy dhe Johnson, për të cilët ai mendonte se nuk e kishin informuar saktë popullin amerikan lidhur me shkallën e angazhimit amerikan në Vietnam.

“Për mendimin tim në çdo rast ka një element të së vërtetës, por qeveritë shpesh përpiqen t’a mbulojnë atë sepse nuk i shërben politikës së tyre, si në rastin e Vietnamit. Për mendimin tim Vietnami e zëmëroi brezin tonë. Ajo ishte një përpjekje titanike në demokraci mes qeverisë që gënjete dhe popullit që thoshte të vërtetën”.

Një numër librash janë shkruar për Vietnamin, mes tyre edhe "The Making of a Quagmire", “Fytyra e dështimit” në vitin 1965 dhe "The Best and Brightest", “Më të mirët dhe më të zgjuarit” botuar në vitin 1972, rreth zyrtarëve amerikanë që ishin përgjegjës për angazhimin amerikan në Azinë Juglindore.

Në vitin 1964, Halberstam mori çmimin Pulizer, çmimi më i lartë në botën e letrave, për artikujt e tij për luftën civile. Ai ishte një autor i gjithanshëm dhe i talentuar, që shkroi edhe sportin dhe industrinë e makinave.

Gazetari dhe shkrimtari, David Halberstam, vdiq në moshën 73 në një aksident automobilistik në Kaliforni.

XS
SM
MD
LG