Lidhje

Vendim i Gjykatës së Lartë kundër abortit


Gjykata e Lartë amerikane mbajti në fuqi javën e kaluar vendimin për të mos lejuar një procedurë të caktuar aborti në fazat e vona të shtatzanisë, vendim i cili ka ngjallur polemika të ashpra. Por cilat mund të jenë ndikimet që ky vendim mund të ketë në të ardhmen?

Vendimi kishte të bënte me një nga çështjet me ngarkesë të madhe politike dhe për të cilin amerikanët janë mjaft të ndarë në mendime. Me një rezultat mjaft të ngushtë, Gjykata e Lartë mbajti në fuqi ligjin e nënshkruar nga Presidenti Bush në vitin 2003 që ndalon abortet në shtatzanitë e vona.

Eshtë hera e parë që kjo gjykatë le në fuqi një ligj federal i cili ndalon një procedurë të caktuar aborti që nga vendimi i saj historik i vitit 1973 i cili thotë se gratë kanë të drejtën kushtetuese për abort. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Dana Perino lexojë deklarën e Presidentit Bush ku ai e përshendet vendimin e fundit: "Vendimi i Gjykatës së Lartë është afirmim i përparimit që kemi bërë këto 6 vitet e fundit në mbrojtjen e dinjitetit njerzor. Ne do të vazhdojmë të punojmë për ditën kur çdo fëmijë të jetë i mirëpritur në jetë," thuhej në deklaratë.

Përkrahësit e Presidentit dhe kundërshtarët e abortit si senatori Sam Brownback, e quajtën vendimin një fitore monumentale. "Gjykata po fillon të mbrojë të drejtën themelore për jetën dhe dinjitetin e çdo jete në këtë vend”, tha senatori.

Por anëtarja e Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg nuk ishte dakord dhe bëri një hap të pazakontë duke e lexuar me zë të lartë kundërshtimin e saj. Ajo tha se ky vendim ishte alarmues dhe mund të rrezikojë jetën e gruas. Vendimi, tha ajo, refuzon të marrë parasysh rastet e mëparshme gjatë 30 vjetëve në Gjykatën e Lartë.

Përkrahësit e së drejtës së abortit i bënë jehonë këtyre komenteve. Ja ç’thotë Nancy Northup e Qendrës për të Drejtat e Riprodhimit. "Tani do të shikojmë një ofensivë të re kundër abortit që do të dalë nga ky vendim." Dr. LeRoy Carhart ishte ai që e ngriti çështjen para Gjykatës së Lartë: "Ky ligj përpiqet t’i bëjë abortet më të rrezikshme për gratë," thotë avokati. Ndërkohë, dhjetra gra u mblodhën para Gjykatës së Lartë për të protestuar me zë të lartë ndaj vendimit. //rd//

XS
SM
MD
LG