Zëri i Amerikës: Zonja Topalli, cili është komenti juaj lidhur me situatën e krijuar në komisionin parlamentar të medias, ku opozita ka protestuar për shtimin e një anëtari nga maxhoranca në të?
Jozefina Topalli: Kjo është protesta më pa sens, sepse në 16 vite ndryshimi i emrave të anëtarëve të një komisioni është një procedurë tërësisht rutinë dhe normale. Për këtë cdo deputet mund t'i drejtohet arshivave dhe mund të gjejë se sa ka ndryshuar numri i komisioneve apo emrat e deputetëve, qoftë edhe të 8 viteve të fundit me mirëkuptimin e të gjithëve. Në fakt, përvec njërit prej emrave që duket se e zgjoi vëmendjen e opozitës, të gjithë të tjerët janë miratuar me konsensus nga parlamenti. Nuk ja vlen të flitet më tej mbi përbërjen e një komisioni, sepse është gjithcka e parashikuar në rregullore dhe në përputhje me këtë.
Zëri i Amerikës: Zonja Topalli! Ndryshimi i numrit të anëtarëve në komisionin parlamentar të medias ka përkuar edhe me diskutimin në këtë komision edhe të një nisme të një grupi deputetësh për një projekt-ligj mbi transmetimet digjitale. Cili është mendimi juaj për këtë projekt-ligj? Cfarë synon të ndryshojë ai në fushën e transmetimeve digjitale në Shqipëri?
Jozefina Topalli: Në fakt ky është një detyrë që ne duhet ta përmbushim deri në fund të shtatorit. Një ligj tërësor duhet të ecë përpara përmes një plani veprimi, i cili është shkelur në dy muajt e parë. Duke parandjerë se ky projekt-ligj integral nuk mund dhe ndoshta rrezikojmë ta përfundojmë në fund të nëntorit, gjë që është një detyrim joni nga Bashkimi Europian, dhe duke u nisur nga nevoja për të luftuar piraterinë dhe informalitetin dhe për të mbrojtur të drejtën e autorit, atëherë po bëhet një ligj i ndërmjetëm, tranzitor, që do ta ndihmojë shumë edhe ligjin tërësor. Gjatë kohës së zbatimit të tij mund të shihen difekte, gjë që do ta ndihmojë parlamentin që t'i shmangë ato kur të hartohet ligji integral. Ky ligj tranzitor do të përfshihet në ligjin tërësor, që unë uroj të përfundojë në nëntor, por që unë druaj shumë se është dikush që nuk do që kjo punë të ecë përpara. Kjo ka lidhje edhe me ndryshimin e komisionit të medias. Gjatë kësaj periudhe ishte vendosur një instrument bllokues, sepse opozita kishte shumicën dhe kryesimin e këtij komisioni dhe po e blllokonte këtë detyrim. Natyrisht maxhoranca e djathtë nuk mund të lejojë që të bllokohet një ligj, aq më tepër që është pjesë e një obligimi të Bashkimit Europian dhe që do të gjejë pasqyrimin e vet edhe në raport-progresin e tij për këtë vit.
Zëri i Amerikës: Zonja Topalli! Disa deputetë të Partisë Socialiste dhe disa biznesmenë po shprehin dyshime dhe shqetësimin se ky projekt-ligj për transmetimet digjitale është bërë pikërisht për të goditur ndonjë operator që është aktualisht në treg. Cili është komenti juaj lidhur me këto shqetësime?
Jozefina Topalli: Në fakt do të ndodhë e kundërta, sepse deri tani ky operator ka vepruar pa patur të vendosur një marrëdhënie juridike. Ky ligj i jep mundësi që ata të vendosin një marrëdhënie juridike me autoritetin shtetëror që merret me kontrollin dhe mbështetjen e këtyre operatorëve. Shumë shpejt ata do të kenë licensat. Unë nuk u besoj këtyre teorive konspirative, sipas të cilave "po u hiqet licensa, po goditen operatorët". E kundërta po ndodh me këtë ligj. Do të jepen licensa, do të clirohet tregu i frekuencave, do të zbatohet Konventa e Gjenevës, dhe ne do të realizojmë detyrimet që na ka vendosur Bashkimi Europian; dhe mbi të gjitha kjo do të sjellë uljen e ndjeshme të cmimit të kartave digjitale që shqiptarët do të blejnë për të parë programe në digjital. Në të njëjtën kohë ligji do të nxitë edhe operatorët e tjerë edhe televizionet e tjera analoge, që në një periudhë shumë të shkurtër do të kalojnë në transmetime numerike, në mënyrë që edhe ato të ofrojnë dhe të bëhen pjesë e këtij tregu të rëndësishëm, sepse ne kemi edhe një detyrim tjetër që deri në vitin 2012 të gjitha televizionet të jenë digjital. Ky ligj është një mbështetje dhe një inkurajim i madh për të ecur përpara në rrugën e digjitalizimit.
Zëri i Amerikës: Zonja Topalli! Kohët e fundit është vënë re se ligje të reja të fushës ekonomike, si ligji i mbiquajtur "ligji i gjobave" apo "projekt-ligji i digjitalit" apo ligje të tjera, po kalojnë me mjaft vështirësi në seancat plenare të parlamentit. Si i shpjegoni, pse vijnë këto debate të ashpra për ligjet në fushën ekonomike?
Jozefina Topalli: Sepse ka dy filozofi brenda parlamentit; e para sepse një pjesë janë mësuar të jetojnë në një sistem mes informalitetit dhe kjo i ndihmonte të pasuroheshin, ndaj përpiqen ta ruajnë atë sistem. Pastaj është edhe pjesa tjetër që po punon për ta zhdukur këtë informalitet. Kjo që ju e quani "gjoba", është në fakt një instrument për mbledhjen e të ardhurave jo për shtetin, por për t'ua shpërndarë qytetarëve me rritje pagash, me rritje pensionesh, me përmirësim shërbimesh. Kjo është mënyra e funksionimit të shtetit pluralist dhe demokratik me ekonomi të tregut të lirë. Kjo është mënyra e funksionimit të të gjithë vendeve të Bashkimit Europian. Sikur të gjithë bizneset të mos paguanin taksat, nuk do të kishte paga, nuk do të kishte pensione. Madje ajo gjoba në nivelin 15 për qind është shumë i ulët, në një kohë që Italia e ka 30 për qind, ndërsa Franca dhe Austria e kanë edhe më të lartë - deri në 80 për qind. Ajo që më shqetëson është mospranimi prej një pjese të politikës i nxjerrjes së shoqërisë dhe shtetit tonë nga informaliteti. Kjo kërkon një shpjegim, dhe ndoshta këtu qëndron difekti, se ne si maxhorancë duhet të shpjegonim më qartë për qytetarët se cfarë do të thotë betejë kundër informalitetit. Ne ishim të përgatitur se do të gjenim rezistencë edhe përballë informalitetit, ashtu sic po gjejmë rezistencë edhe në betejën tonë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por kjo kërkon një vendosmëri të madhe dhe mirë bëhet që ecet përpara në këtë rrugë, përndryshe ne si maxhorancë nuk do të mbanin fjalën dhe kjo do të ishte e pafalshme për ne. //ii