Lidhje

Bisedë me drejtuesit e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane


Zoti Dioguardi vlerësoi lart seancën për Kosovën që u zhvillua në fillim të javës në Kongresin amerikan, ku ndihmës sekretari i shtetit, Nikolas Bërns shprehu qendrimin e administratës në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Ish kongresmeni thotë se gjatë të paktën 15 vjetëve të fundit Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane është përpjekur që, nëpërmjet lobizmit në kongresin amerikan, ta bindë administratën amerikane se zgjidhja e statusit të Kosovës është në interesin e paqes e të qëndrueshmërisë në Ballkan. Zoti Dioguardi e cilësoi historike seancën për Kosovën në Kongresin amerikan.

"Ajo ishte një seancë shumë historike. Një seancë tjetër në rrugën drejt pavarësisë së Kosovës, e ndoshta seanca më e rëndësishme deri më tani. Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, Tom Lantosh përsëriti qëndrimin e tij prej mëse 10 vjetësh se pa pavarësinë e Kosovës nuk do të ketë paqe dhe qëndrueshmëri në Ballkan. Në të njëjtën seancë, këtë qëndrim shprehu edhe ndihmës sekretari amerikan i shtetit Nikolas Bërns, i cili mbështeti planin Ahtisari për një pavarësi të mbikqyrur për Kosovën”.

Zoti Dioguardi thotë se një Kosovë e pavarur, jo vetëm që do të ndihmojë drejt paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan, por do të jetë në gjendje të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, kudo ku ata janë pakicë si në Preshevë, Maqedoni, Mal të Zi e gjetkë. Zoti Dioguardi thotë se plani Ahtisari nuk është i përsosur, por të paktën hap rrugën për ndryshimin nga Kombet e Bashkuara të rezolutës 1244.

Ndërkohë, Shërli Kllois Dioguari, këshilltare për çështjet ballkanike në Lidhjen Qytetare, thotë se plani Ahtisari nuk do të çojë në pavarësinë e Kosovës në se nuk bëhen disa ndryshime.

“Mendoj se plani ka disa aspekte të mangëta, që do të çonin në krijimin e një shteti të stilit të Bosnjes të varur tek ndihmat, pikërisht e kundërta e asaj që është kërkuar nga të gjitha palët që janë angazhuar në këtë çështje për një kohë të gjatë. Aspekti ligjor, për shembull, është problematik, meqë për çdo ndryshim kushtetutor do të duheshin 2 të tretat e votave të pakicës serbe në parlament. Shpresoj që plani Ahtisari të rishikohet dhe të bëhen ndryshimet e domosdoshme, para se të ndodhë diçka shumë negative e për këtë ndoshta të fajësohen shqiptarët.”

Zoti Dioguari tha se Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane do të vazhdojë punën për ta ndihmuar Kosovën në të ardhmen që të jetë një shtet i pavarur i sukseshëm.

“Krijimi i një shteti të pavarur i sukseshëm është me rëndësi sepse e lejon Kosovën të punojë me Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Evropiane për rindërtimin për të marrë hua që të rindërtojë infrastrukturën e si rezultat të tërheqë investime dhe të hapë vende pune. Ky është fillimi i një epoke të re për popullin shqiptar të Kosovës, e ndoshta për të gjithë shqiptarët në Ballkan, që jetojnë përreth Kosovës, sepse ne duam të krijojmë një bllok të sukseshëm ekonomik të shqiptarëve. Lidhja Shqiptare do të vazhdojë të punojë me qeverinë amerikane për të siguruar ndihma e për t’u siguruar se Kosova nuk bëhet një shtet, që varet tek ndihmat, siç është Bosnja.”

Një çështje tjetër në të cilën Xhozef dhe Shërli Dioguari janë angazhuar kohët e fundit është lirimi i 14 shqiptarëve të arrestuar në Mal të Zi, mes tyre 3 shtetas amerikanë, të cilët mbahen që prej fillimit të shtatorit të vitit të kaluar. Data e gjyqit të tyre u caktua këtë javë për më 14 maj. Po këtë javë, ish kongresmeni dhe Shërli Kllois Dioguari u takuan me anëtarë të Kongresit amerikan në përpjekje për të siguruar mbështetjen e tyre. Zonja Dioguari thotë se në këtë çështje është angazhuar departamenti i shtetit, por nuk ka ushtruar presionin e duhur ndaj Potgoricës.

Autoritetet amerikane u njoftuan menjëherë dhe vizituan të burgosurit. Departamenti i shtetit thotë se nuk mund të angazhohet në këtë çështje, nuk mund të ndërhyjë në proceset demokratike të një vend tjetër. Problemi është se ne duhet të pyesim veten: A kemi të bëjmë me një demokraci në këtë rast? Përgjigja është: JO. Shteti juridik që zbatohet në Shtetet e Bashkuara, nuk zbatohet në Mal të Zi, madje në komunitetin ndërkombëtar ekziston një problem i madh që është mbështetja e iluzionit në vend të realitetit për sa i përket demokracisë në rajon.”

Çifti Dioguardi thotë se Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane do të vazhdojë të punojë për kauzat shqiptare, madje e quan çështjen e Kosovës si një fillim të ri në punën e tyre. (kh)

XS
SM
MD
LG