Lidhje

Fati i Presidentit të Bankës Botërore, Pol Ulfovic, ende në pikëpyetje


Pol Ulfovic, Presidenti i Bankës Botërore, që këto kohë është në qendër të polemikave, vazhdon përpjekjet për të ruajtur postin në institucionin më të madh botëror për zhvillim ekonomik. Personeli i Bankës nuk i ka reshtur thirrjet për dorëheqje pas dyshimeve se ai ka favorizuar mikeshën e tij.

Bordi ekzekutiv i Bankës zhvilloi ditët e fundit një takim të gjatë për të debatuar se çfarë masash duhet të marrë. Në pamundësi për të arritur një përfundim, bordi me 24 anëtarë po ngre një komision për të bërë rekomandime lidhur me të ardhmen e Ulfovicit.

Burime të afërta me debatin thonë se vendimi për ta pushuar nga puna Ulfovicin ose për të lejuar qëndrimin e tij në post do të merret nga qeveritë anëtare të Bankës. Mandati i tij përfundon pas tre vjetësh.

Debati përqëndrohet në rolin që Ulfovici ka luajtur për t’i dhënë një rritje të majme rroge një punonjëseje të Bankës me të cilën kishte marrëdhënie intime. Javën e kaluar, Ulfovici kërkoi ndjesë për veprimet e tij. Megjithëse ai tha se synon të qëndrojë në post, ai shtoi se do të respektojë rekomandimet e bordit.

Alison Kejv, ekonomiste që drejton shoqatën e personelit të Bankës, këmbëngul që Ulfovici të japë dorëheqjen. Zonja Kejv thotë se ai ka sakrifikuar autoritetin e tij moral dhe ka humbur kredibilitetin e stafit: "Në këtë moment, nuk mendoj se ka ndonjë gjë që mund të bëjë për të rifituar autoritetin. Nuk mendoj se çështja është thjesht incidenti, por edhe mënyra si reagoi ai që kur doli në dritë ky informacion," tha zonja Kejv.

Fillimisht Ulfovici u përpoq të minimizonte rolin e tij, më pas, javën e kaluar ai dha urdhër për bërjen publike të të gjitha dokumentave lidhur me mikeshën e tij, Shaha Riza, arabe me origjinë nga Afrika Veriore, e cila ishte punonjëse e Bankës kur ai erdhi në postin e Presidentit të institucionit në vitin 2005. Por pak më pas, zonja Riza u transferua në Departamentin e Shtetit, për të shmangur një konflikt të mundshëm interesi.

Robert Holland, i cili deri kohët e fundit ka qenë përfaqësuesi amerikan në Bankën Botërore, mendon se polemikat nuk kanë shumë lidhje me pagën e zonjës Shaha Riza, e cila u rrit nga 130 mijë në mbi 190 mijë dollarë. Çështja thelbësore, thotë ai, është mllehi që ekziston kundër Ulfovicit për rolin e tij në luftën në Irak, gjatë kohës kur ishte figura numër 2 në Pentagon.

Zoti Holland shpjegon se nuk ka shumë gjasa që Pol Ulfovici të mbijetojë në këtë post nëse evropianët fillojnë të presin kontributet për Shoqatën për Zhvillim Ndërkombëtar pranë Bankës Botërore, e cila u jep grante vendeve më të varfëra. "Nëse bordi, dhe mbi të gjitha nëse vendet që i japin udhëzime bordit, vendosin se është bërë një dëm kaq i madh që mund të ndikojë negativisht në raundin e ardhshëm të furnizimit të fondit për zhvillim ndërkombëtar, mendoj se kjo do ta vulosë fatin e Ulfovicit. Mendoj se do të ishte gabim për Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë ta mbështesin atë, nëse vetë institucioni do ta dëbojë."

Deri tani administrata e Presidentit Bush e ka përkrahur Ulfovicin, i cili është amerikani i dhjetë radhazi që drejton Bankën Botërore që pas themelimit të saj në vitin 1945. Sipas njoftimeve, qeveritë evropiane janë të përçara në qëndrimet e tyre: gjermanët dhe britanikët janë për dorëheqjen e Ulfovicit. Një nga ndihmësit kryesorë të Pol Ulfovicit u është bashkuar thirrjeve për dorëheqjen e tij si President i Bankës Botërore. //ad//

XS
SM
MD
LG