Lidhje

Mjekësi dhe shkencë: Terapia me hormone; Transplantimi i gjymtyrëve


Terapia me hormone

Shumë gra që kalojnë në periudhën e menopauzës përjetojnë efekte anësore si prishtje e gjumit me djersitjeve, vështirësi në frymëmarrje e skuqje lëkure. Për vite mjekët kanë rekomanduar terapi me hormone estrogen e progestin për të larguar këto simptoma. Por në vitin 2002 dhe përsëri më 2004, mjekët u kërkuan grave pjesmarrëse në një studim në shkallë të gjërë në Amerikë që të mos marrin më hormone sepse ato rrezikojnë shëndetin. Tani, një fazë e dytë e të njëjtit studim tregon se përdorimi vetëm i estrogenit nuk sjell ndonjë rrezik për gratë e reja që ndodhen 10 vjet përpara periudhës së menopauzës, ndërsa terapia me hormone nuk rekomandohet për gratë e moshuara.

10 vjet më parë, Xheri Bogs ndodhej në fillim të fazës së menopauzës. Si pjesmarrëse në Nismën për Shëndetin e Grave, ajo pranoi të merrte hormone. “Ne të gjitha mendonim se marrja e hormoneve do të ndihmonte shëndetin e do të mbronte zemrën nga sëmundjet”, thotë Xheri.

Por gjatë 15 vjetëve të studimit me pjesmarrjen e 27 mijë grave amerikane, shkencëtarët zbuluan se hormonet nuk mbronin zemrën. Në studimin e botuar këto ditë në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë, thuhet se disa gra që ndodhen më pranë fazës së menopauzës mund të trajtohen me hormone pa shtuar rrezikun për sëmundje në zemër.

Doktor Zhak Rossou thotë se të dhënat deri-diku sigurojnë edhe një herë për gratë e reja që duan të përdorin terapinë me hormone se kjo terapi parandalon efektet anësore të menopauzës pa shtuar rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Për gratë e moshuara që vazhdojnë të ndeshen me simptoma 10 vjet pas menopauzës, rreziku për sëmundje të zemrës është më i lartë kur përdoren hormonet. Doktor Rossou pranë institutit kombëtar për sëmundjet e Zemrës, Mushkërive dhe Gjakut, në Meriland thotë se rekomandimi për terapi me hormone ka të bëjë vetëm me përdorimin e estrogenit dhe jo estrogen plus progestin. Doktor Rossou shton se terapia me estrogen plus progestin është më shume e dëmshme për shëndetin sesa terapia vetëm me estrogen. Përsa i përket goditjeve në tru, si terapia me estrogen plus progestin ashtu edhe terapia vetëm me estrogen, shtojnë rrezikun e goditjes. Ndër probleme të tjera shëndetësore që lidhen me terapinë me hormone përfshihen kanceri i gjirit dhe kanceri në uter. Kjo është arsyeja që ekspertët rekomandojnë se të gjitha gratë duhet t’i peshojnë rreziqet dhe të mirat e terapisë me hormone.

Transplantim i një dore

Në Luivill të shtetit Kentaki, një njeri me dorë të transplantuar doli nga spitali pas një qëndrimi prej disa muajsh. Ai erdhi në spital me një dorë, por sot shkon në shtëpi me dy. David Savage e humbi dorën e djathtë 30 vjet më pare gjatë punës në një uzinë automobilësh në Miçigan.

Savage është personi i tretë në mbarë vendin që dora e dikujt tjetër i është ngjitur suksesshëm në vendin e prerë. Operacioni u krye nëntorin e kaluar dhe për disa muaj atij iu desh të qëndronte në spital. Operacioni për ngjitjen e dorës së huaj zgjati 14 orë dhe në të morrën pjesë 34 specialistë. David thotë se sapo i doli narkoza, menjëherë e ndjeu dorën e re. Truri nuk i harron lehtë instinktet, thotë ai. Disa mendojnë se dora e re nuk do të funksionojë 100 përqind. Po me këmbëngulje e ushtrime të përditëshme fizike asgjë nuk është e pamundur. David tani niset për në shtëpinë e tij në Miçigan, ku do t’i nënshtrohet një terapie fizike intensive. Ai ka edhe një djalë basketbollist. David nuk e përmban gëzimin kur mendon se pas 30 vjetësh, ai do të jetë në gjendje të duartrokasë për t’i dhënë kurajo djalit të vet në fushën e basketbollit.

XS
SM
MD
LG