Irani thotë se ka në plan ta zgjerojë mjaft programin e tij bërthamor. Komentet bëhen një ditë pas njoftimit të Teheranit se ai tani është i aftë të pasurojë uranium në shkallë industriale.
Kreu i organizatës iraniane për energjinë bërthamore, Golam Reza Agazadeh, tha sot se Irani ka në plan të instalojë 50 mijë centrifuga në objektin e tij bërthamor të Natanzit. Kryenegociatori iranian për çështjet bërthamore, Ali Larijani, tha dje se Irani ka filluar të ushqejë me gaz uraniumi tri mijë centrifuga pasurimi.
Ky njoftim u prit me kritika nga Shtetet e Bashkuara, OKB-ja dhe Bashkimi Evropian. Rusia shprehu skepticizëm. Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov tha se Moska nuk ka informacione për të konfirmuar deklaratën e Iranit. Edhe disa burime diplomatike perëndimore vunë në pikpyetje pretendimin e Iranit.
Dy inspektorë të OKB-së arritën sot në Iran për një vizitë të planifikuar në reaktorin e Natanzit dhe mund të japin konfirmimin e parë të pavarur rreth deklaratave iraniane. //ii