Lidhje

PD kërkon ringritjen e komisionit dypalësh për reformën zgjedhore


Grupi parlamentar i Partisë Demokratike propozoi sot ringritjen e komisionit dypalësh pozitë-opozitë për reformën zgjedhore në përpjekje për të rregulluar më tej Kodin e Zgjedhjeve. Kjo nismë që u paraqit nga nënkryetari i PD, Bamir Topi, dhe që u diskutua në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar, është po ashtu një nga kërkesat kryesore të opozitës socialiste menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve vendore.

Kryeministri dhe drejtuesi i maxhorancës, Sali Berisha, deklaroi se reforma zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE dhe ODIHR është një domosdoshmëri afatshkurtër.

"Ne do të pranojmë cilindo sistem që opozita shqiptare do të propozojë. Mbi këtë bazë mendoj se ne vendosim shkallën më të gjerë të konsensusit", - tha ai.

Zoti Berisha tha se vendi ka nevojë gjithashtu edhe për një nevojë kushtetuese, pasi, sipas tij, disa nene të Kushtetutës duhen rishikuar.

"Ne mbetemi të hapur në frymën e konstruktivitetit që të rishqyrtojmë, dhe të angazhohemi në një reformë kushtetuese, të cilën gjykoj se koha e ka bërë të rëndësishme dhe të domosdoshme, jashtë interesave të veçanta politike, por në interes të vendit dhe të shtetit ligjor" - tha ai.

Propozimi i maxhorancës për ngritjen e komisionit dypalësh për reformën zgjedhore u paraqit në administratën e Parlamentit njëkohësisht me një kërkesë për interpelancë urgjente të Partisë Socialiste me kryeministrin Berisha.

Një grup deputetësh të opozitës socialiste me këtë interpelancë kërkuan informacion nga kryeministri mbi "lirinë e mediave dhe lidhjen e tyre me mafian", sic kishte komentuar zoti Berisha disa ditë më parë.

Partia Socialiste shprehu sot shqetësim për akuzat e maxhorancës ndaj mediave, emërimet e fundit në polici dhe investimet e parealizuara publike. Kryesia e PS deklaroi pas një mbledhjeje në mesditë se kërkesa për zgjedhje të parakohshme nuk është një cështje e mbyllur, dhe se gjithcka do të varet nga mënyra se si maxhoranca do të trajtojë kërkesat e opozitës për reforma të thella politike dhe administrative.//lk

XS
SM
MD
LG