Lidhje

Kryeministri Çeku fton pakicën serbe të pranojë planin Ahtisari


Kryeministri i Kosovës Agim Çeku ftoi sot pakicën serbe të pranojë propozimin e të dërguarit të OKB-së Marti Ahtisari që rekomandon pavarësi të mbikqyrur. Propozimi kundërshtohet fuqimisht nag Beogradi dhe nga Moska. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të fillojë diskutimin e parë zyrtar mbi raportin e zotit Ahtisari më 3 prill.

Kryeministri i Kosovës Agim Çeku ftoi sot pakicën serbe të pranojë propozimin e të dërguarit të OKB-së që rekomandon pavarësi të mbikqyrur nga ndërkombëtarët për të ardhmen e Kosovës.

“Serbët janë të mirëpritur në shoqërinë tonë. Ata janë të mirëpritur të ndërtojnë bashkë me ne të ardhmen dhe do t’i ftoja edhe njëherë të pranonin dorën tonë, të pranonin propozimin dhe të pranonin të jetojnë me ne, për të ndërtuar të ardhmen në Kosovë",- tha ai.

Kryeministri Çeku tha se propozimi u jep serbëve të Kosovës garanci të plota, se të drejtat e tyre individuale dhe kolektive do të mbrohen plotësisht. Në qytetin me shumicë serbe të Graçanicës, një banor shpreh zhgënjimin e tij për propozimin.

"Mendoj se është vendim i gabuar. Shpresoj të vijë diçka më e mrië, por vërtet mendoj se duhet të kishin pritur një kohë më të gjatë. Nuk mendoj se kjo zgjidhje do të jetë e mirë për ne. Nuk më besohet se kjo po ndodh vërtet – që Kosova po bëhet e pavarur”, -thotë banori.

Një tjetër banor, thotë se nuk do ta pranote propozimin por vendimi është demokratik.

"Mendoj se ata bënë atë që deshën. Unë nuk do ta pranoj, por në fund të fundit është një vendim demokratik i marrë nga komuniteti ndërkombëtar. Në letrën prej 3 faqe e gjysëm që shoqëronte propozimin, presidenti Ahtisari thotë se ka arritur në përfundimin, se e vetmja zgjidhje reale për Kosovën është pavarësia fillimisht e mbikqyrur nga komuniteti ndërkombëtar,"-thotë ai.

Plani Ahtisari përballet me një të ardhme të paqartë në Këshillin e Sigurimit i cili është i ndarë për këtë çështje. Rusia mbështet Serbinë dhe ka lënë të kuptohet se mund të përdorë veton në Këshillin e Sigurimit në se nuk përfillen interesat e Beogradit. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë mbështetur fuqishëm planin. Nënsekretari amerikan i Shtetit Nicholas Burns shprehu mbështetjen e plotë të Uashingtonit për të gjitha rekomandimet e propozimit Ahtisari.

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht propozimin e dhënë nga Presidenti Ahtisari. Ne mbështesim të gjitha rekomandimet e bëra prej tij dhe do të mbështesim një proces që do të çojë drejt pavarësisë së mbikqyrur për Kosovën”, tha zoti Bërns dje në Bruksel.

Diplomatët në Kombet e Bashkuara thanë se Këshilli i Sigurimit do të fillojë diskutimin e parë zyrtar mbi raportin më 3 prill.//lk

XS
SM
MD
LG