Lidhje

Çurkin: Të rishikohet zbatimi i rezolutës 1244


Rusia ka bërë thirrje për një rishikim të plotë të procesit që çoi ndërmjetësin e Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisari në propozimin për pavarësi për Kosovën. Moska i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit ta fillojë procesin e rishikimit me një vizitë në rajon. Një ditë pasi ndërmjetësi i OKB-së Marti Ahtisari rekomandoi pavarësi për Kosovën, Rusia e bëri të qartë se nuk e konsideron këtë çështje të mbyllur. Në një takim me dyer të mbyllura, ambasadori i OKB-së në Moskë, Vitali Çurkin i kërkoi Këshillit të Sigurimit një rishikim të thellë të zbatimit të rezolutës 1244 në Kosovë.

Ambasadori Çurkin tha se rishikimi i rezolutës duhet të fillojë me një mision në kryeqytetet e Kosovës dhe Serbisë. "Ne i sugjeruam Këshillit të Sigurimit të zhvillojë një rishikim të përgjithshëm të zbatimit të rezolutës 1244. Siç e dini, kjo rezolutë e Këshillit të Sigurimit u miratua në vitin 1999 dhe ka qenë e vazhdon të jetë themeli i të gjitha përpjekjeve ndërkombëtare në Kosovë. Për ne është e logjikshme dhe në fakt e domosdoshme të shohim se në ç’fazë është komuniteti ndërkombëtar në lidhje me zbatimin e rezolutës para se, duke pasur parasysh të gjithë përgjegjësinë që na ka vënë mbi shpatulla komuniteti ndërkombëtar, të marrim në shqyrtim propozimin e zotit Ahtisari," tha ambasadori rus.

Në raportin e tij para Këshillit, zoti Ahtisari propozon pavarësi për Kosovën si “e vetmja zgjidhje funksionale” për qëndrueshmëri në rajon. Ai tha se kishte dalë me këtë propozim pasi kishte arritur në përfundimin se të gjitha përpjekjet për një zgjidhje me negociata ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ishin ezauruar. Zoti Ahtisari do të informojë Këshillin e Sigurimit mbi përfundimet e tij javën e ardhshme.

Por Rusia, e cila ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, ka thënë se nuk do të japë miratim për asnjë zgjidhje për Kosovën, që nuk mbështetet nga të dyja palët. Ambasadori Çurkin bëri dje thirrje për vazhdimin e negociatave, duke e cilësuar Kosovën “çështjen ndoshta më të rëndësishme që i ka dalë përpara Këshillit të Sigurimit në një vit, apo në një dekadë.”

Ai ngriti idenë se propozimi i zotit Ahtisari mund të bëhet një shembull i rrezikshëm për rajone të tjera me ambicje për pavarësi në një numër vendesh. Diplomati rus u tregua i kujdesshëm për të mos e kritikuar drejtpërdrejtë ndërmjetësin Ahtisari, duke e quajtur atë një mik të mirë të Rusisë. Por ambasadori Çurkin paralajmëroi që të mos i dërgohen Kosovës sinjale të rreme: "Kjo çështje është mjaft e ndërlikuar. Po përpiqemi ta zgjidhim në një mënyrë që të japë sa më pak pasoja në arenën ndërkombëtare. Çështja është ndërlikuar nga ata që në të kaluarën kanë dhënë sinjale dhe premtime të rreme në një situatë ku nuk duhet ta kishin bërë një gjë të tillë dhe ku duhet të ishin bazuar tek rezoluta 1244," tha zoti Çurkin.

Megjithë kundërshtimin rus, diplomatët amerikanë dhe evropianë shprehën dje optimizëm se procesi për pavarësinë e Kosovës vazhdon në rrugën e duhur. Të hënën Nënsekretari amerikan i Shtetit Nikolas Bërns tha se parashikon që konsultimet të zgjasin 5-7 javë për të gjetur rrugën e duhur para se Këshilli i Sigurimit të hedhë në votë një rezolutë. //ad//

XS
SM
MD
LG