Lidhje

Internacionalja Socialiste: Statusi i Kosovës duhet të ketë legjitimitet ndërkombëtar


Zyrtarë të lartë të vendeve të rajonit, anëtarë të Internacionales Socialiste thanë sot në Prishtinë se statusi i Kosovës duhet të ketë legjitimitet ndërkombëtarë dhe të sigurojë paqe e qëndrueshmëri në rajon.

Ata i bënë këto komente gjatë një vizite në Prishtinë ku janë takuar me udhëheqës ndërkombëtarë dhe vendas. Ish Ministri i Jashtëm grek Georges Papandreou, president i Internacionales Socialiste tha se vendet e rajonit duan të shohin paqe, qëndrueshmëri, demokraci zhvillim ekonomik dhe respekt për të drejtat e njeriut në këtë pjesë të Evropës.

Ballkani perëndimorë tha ai duhet të ketë një ardhmëri të qartë në integrimet euro atlantike. “Pavarësisht se çfarë do të jetë statusi përfundimtar i Kosovës, një ditë pas ne duhet të punojmë së bashku dhe të kemi një zë të përbashkët në këtë rajon", tha zoti Papandreou, duke nënvizuar se vendet e rajonit duhet të punojnë së bashku për një jetë më të mirë të qytetarëve të tyre.

Udhëheqësi i delegacionit, kryeministri i Bullgarisë Sergey Stanishev, tha se tash është periudhë vendimtare e procesit të zgjidhjes së statusit politikë të Kosovës, duke i shprehur mbështetje të plotë propozimit të krye negociatorit ndërkombëtarë për këtë çështje Martti Ahtisarri. “Është me rëndësi që të kemi një vendim të ligjshëm ndërkombëtarë për statusin e Kosovës dhe garanci për zbatimin e standardeve, tha ai, duke nënvizuar se veprimet e njëanshme janë të rrezikshme”. Ish Ministri i Jashtëm rumun Mircea Geoana, tha se “Kosova është një rast i posaçëm dhe situata e saj nuk mund të shfrytëzohet si precedent për askënd”.

Qëndrimi i vendeve të rajonit ndaj statusit të ardhshëm të Kosovës, vlerësohet me rëndësi tash në prag të një vendimi për këtë çështje. Të hënën më 26 mars pritet që Këshilli i Sigurimit të marrë propozimin e krye negociatorit ndërkombëtarë për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari, ndërsa muaji prill pritet të jetë fillim i debateve për këtë çështje, Gjykuar nga qëndrimet e deritashme, një pajtim rreth këtij propozimi nuk duket punë e lehtë. //rd//

XS
SM
MD
LG