Lidhje

Bursa amerikane rimerr veten


Indeksi Dau Xhons u ngrit 57 pikë në 12133 dje, pasi kishte rënë në mesditë rreth 100 pikë. Të martën tregu i aksioneve ra 200 pikë për shkak të shqetësimeve mbi gjendjen e bankave të vogla huadhënëse. Rreziku i humbjes së shtëpive për shkak të paaftësisë së blerësit për të paguar është shtuar së tepërmi dhe një numër gjithnjë e më i madh huamarrësish kanë mbetur prapa me pagesën e këstit mujor.

Janë shtuar shqetësimet se problemet e bankave të vogla huadhënëse mund të shtohen. Çmimet e shtëpive në Shtetet e Bashkuara kanë mbetur pothuajse të pandryshuara gjatë disa muajve të fundit dhe disa ekspertë presin që çmimet të bien gjatë këtij viti. Ekonomisti i Universitetit Jell, Robert Shiller, është mes atyre që parashikojnë rënien e çmimit të banesave.

“Gjatë shtatë viteve të fundit ne pamë ngritjen më të madhe të çmimeve në tregun e banesave në historinë amerikane. Tani ne jemi në një fazë që nuk mund të parashikohet me saktësi. Por duke patur parasysh se sa shumë u ngritën çmimet e shtëpive si dhe gjendjen e tregut të huave, mendoj se ne po shikojmë shenjat e rënies së vazhdueshme”.

Xhenerëll Motors, kompania me e madhe e makinave në Shtetet e Bashkuara, është mes institucioneve financiare në grupin e bankave më të vogla që po ndjen humbjet. Dega financiare e GM-it GMAC, ka qënë një nga huadhënëset e vogla më aktive. Kjo degë është në procesin e shitjes për të marrë veten nga humbjet financiare të vitit 2006.

Tregjet evropiane dhe aziatike ranë ndjeshëm dje dhe indeksi i bursës së Londrës shënoi rënien më të madhe të një viti. Disa bursa të tjera evropiane humbën mbi 2 përqind. Vlera e dollarit u rrit kundrejt jenit japonez, ndërsa floriri humbi 7 dollarë për aunc, duke rënë në 642 dollarë për aunc. (kh)

XS
SM
MD
LG