Lidhje

Jesen-Petersen: Kujdes me pranine civile ndërkombëtare në Kosovë!


Soren Jesen-Petersen, ish administrator i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, i tha Zërit të Amerikës se një prani tepër e fortë civile ndërkombëtare në Kosovë do të shënonte një hap prapa dhe do të ndikonte negativisht në zhvillimin e udhëheqësve të saj politikë. Zoti Petersen thotë gjithashtu se beson që politikanët e Kosovës kanë dhënë shenja pjekurie. Ish administratori i Kosoves punon në Institutin amerikan të Paqes në Uashington, pas dy vitesh intensivë në Prishtinë, periudhë kur çështja e statusit u vu seriozisht në rrugën e zgjidhjes. Ai është duke shkruar një libër mbi konfliktet etnike dhe ndërhyrjet humanitare në botë.

Zëri i Amerikës: Në ç’drejtim e çon Kosovën paketa e zotit Ahtisari?

Soren Jesen-Petersen: Mendoj se është e qartë që paketa e Ahtisarit e çon Kosovën drejt pavarësisë, edhe pse aty nuk përmendet pavarësia dhe as sovraniteti i Serbisë, po të lexohet me kujdes, rruga ku Kosova ka hyrë është pavarësia. Paketa është një kompromis. Ahtisari është përpjekur të gjejë një kompromis midis Beogradit dhe Prishtinës gjë që është e pamundur dhe Ahtisari e dinte se beogradi nuk do të ishte kurrë dakord me objektivin e Prishtinës dhe Kosova nuk do të ishte kurrë dakord t’i ribashkohej Serbisë. Por ai u përpoq të gjejë një kompromis për të garantuar se propozimi i tij nuk do të bllokohet në Këshillin e Sigurimit.

Zëri i Amerikës: Si i shikoni marrëdhëniet ndëretnike pas fillimit të zbatimit të paketës, kur serbët e kundërshtojnë aq hapur planin?

Soren Jesen-Petersen: Nuk mendoj se problemi që shtrohet është kundërshtimi i serbëve të Kosovës sepse është e natyrshme që ata do të jenë kundër çdo gjëje që çon në pavarësinë e Kosovës. Problemi është pikërisht se propozimi i Ahtisarit është një kompromis dhe me të drejtë e ve theksin shumë tek garancitë e gjera për pakicat. Kjo ka rëndësi. Por në kërkim të kompromisit, mendoj se propozimi shkon aq larg saqë nuk sjell qartësinë e nevojshme që unë mendoj se duhet për t’i bërë shqiptarët dhe serbët të fillojnë të bashkëjetojnë në një farë mënyre. Gjithmonë e kam thënë se neve na është dashur qartësi dhe një vendim i shpejtë. Nuk mendoj se propozimi ka qartësinë e duhur dhe plani le të hapur vazhdimin e ndarjes mes dy palëve, e cila mund të rritet më tej dhe nëse nuk jemi të kujdesshëm mund të çojë një ditë në ndarje të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Pavarësisht se një parim themelor i fuqive të mëdha për Kosovën ka qenë mosndarja, a shikoni rrezikun e një ndarjeje për shkak të kundërshtimeve të forta serbe? Cilat mund të ishin rreziqet që do të sillte ndarja?

Soren Jesen-Petersen: Mendoj se një ndarje së pari nuk do të ishte në interes të serbëve të Kosovës sepse dy të tretat e serbëve, rreth 100 mijë, jetojnë në pjesën jugore dhe lindore të Kosovës, pra jo në veri, i cili do të ishte objekti i ndarjes. Pra me këtë do të sakrifikoheshin dy të tretat e serbëve, të cilët do të ndiheshin të izoluar dhe do të fillonin të zhvendoseshin. Arësyeja e dytë është se kjo do të kishte pasoja negative për rajonin, për shembull në Republikën serbe të Bosnjes. Pra në një kohë kur shpresat janë për stabilizimin e rajonit, një ndarje e Kosovës do të hapte shumë plagë.

Zëri i Amerikës: Ju keni qenë kundër ndërhyrjes së Beogradit në çështjet e pakicës serbe. Por paketa e Ahtisarit le shteg që Beogradi të ruajë lidhje të konsiderueshme me komunat serbe. A përbën kjo shqetësim për ju?

Soren Jesen-Petersen: Propozimi i Ahtisarit është më tepër një mesazh për serbët e Kosovës se ata mund të mbajnë lidhje me Beogradin dhe kjo mund të mos jetë diçka e keqe. Ajo që kam kritikuar unë ka qenë fakti se Beogradi në vend që të punonte me UNMIK-un për të përmirësuar gjendjen e vështirë të serbëve të Kosovës, ndërhynte në punët e tyre duke u shtuar frikën.

Zëri i Amerikës: Meqenëse ju keni përvojë në administrimin e Kosovës, si duhet të jetë administrata që do të zëvendësojë UNMIK-un, çfarë kompetencash duhet të ketë ajo? Duhet të jetë më e fortë apo më e dobët?

Soren Jesen-Petersen: Kur ne filluam planifikimin e së ardhmes pas UNMIK-ut, rekomanduam që prania ndërkombëtare në Kosovë të ishte sa më e lehtë dhe njëkohësisht e fuqishme kur të jetë e nevojshme. Për mendimin tim, theksi duhet venë tek një prani e lehtë. Një prani ndërkombëtare e fortë dhe e fuqishme do të ishte një hap i madh prapa nga gjendja e tanishme dhe do të çonte në gabime si ato të bëra në Bosnje, ku për 11 vjet rresht ka patur një prani ndërkombëtare tepër ndërhyrëse. Si rrjedhojë, politikanët e Bosnjes kanë qenë gjithnjë të gatshëm të fshihen prapa ndërkombëtarëve sa herë që është dashur të merren vendime të vështira. Gjithashtu, udhëheqja vendore në Bosnje nuk ka patur zhvillimin e duhur. Në Kosovë, udhëheqja është tashmë në rrugën e zhvillimit. Udhëheqja kosovare ka dhënë shumë shenja pjekurie. Kosovarët janë në kontroll të zhvillimeve të përditëshme në Kosovë. Për shembull, pas demonstratave të 10 shkurtit në të cilat për fat të keq u vranë dy shqiptarë, ministri i brendshëm në qeverinë e Kosovës dha dorëheqjen duke pranuar përgjegjësinë. Ai nuk u shkarkua nga administrata ndërkombëtare dhe nuk pati ndonjë presion të fortë nga ndërkombëtarët. Vendimi u mor nga ai vetë dhe nga kryeministri. Ky veprim tregon se Kosova ka bërë përparim pa u dashur ndërhyrja e ndërkombëtarëve. Zyrtarët e kuptojnë se çfarë është përgjegjësia dhe çfarë është përgjegjshmëria.

Zëri i Amerikës: Përse ndodhën protestat e dhunshme të 10 shkurtit dhe a ekziston rreziku që në fakt protesta të tilla të përhapen në këtë moment delikat për Kosovën?

Soren Jesen-Petersen: Së pari, demonstrimet janë një e drejtë demokratike dhe Kosova është një demokraci në zhvillim. Kur unë isha atje, ka patur një numër demonstratash nga grupi Vetvendosje, të cilat asnjëherë nuk kanë qenë të dhunshme. Mendoj se ata që demonstrojnë duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre sepse çdo lloj dhune në Kosovë sot, do të rrezikonte shanset për të ecur drejt pavarësisë shanse që tani janë shumë reale. Demonstrata e së shtunës pasardhëse, e cila ishte e qetë, besoj se tregon që ky grup e ka kuptuar se protestat duhen bërë në mënyrë paqësore. Unë e shikoj këtë si shenjë se pjekuria në Kosovë po rritet. //ii

XS
SM
MD
LG