Lidhje

Daniel Frid shpreson në arritjen e një kompromisi në Këshillin e Sigurimit mbi rezolutën për statusin e Kosovës


Diplomati më i lartë i Departamentit të Shtetit për Evropën thotë se mendon që Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të jetë në gjendje të miratojë një plan për statusin përfundimtar të Kosovës, megjithëse ndërmjetësi Ahtisaari nuk arriti të sigurojë një marrëveshje mes delegacionit shqiptar dhe atij serb pas 1 vit bisedimesh. Ndihmës Sekretari i Shtetit Daniel Fried zhvilloi dje një takim me gazetarët pas bisedimeve që zhvilloi në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni.

Me përfundimin pa rezultat konkret të bisedimeve 1 vjeçare mes delegacionit shqiptar dhe atij serb, të gjitha palët presin se si do të vazhdojë procesi pas paraqitjes së planit të zotit Ahtisari në Këshillin e Sigurimit. Vota ruse në Këshillin e Sigurimit mbetet enigma që vë në pikëpyetje miratimin e planit të Ahtisarit: "Nuk do të presupozoja se Rusia do të vendosë veton në Këshillin e Sigurimit. Deri tani kemi punuar në bashkëpunim me rusët dhe synojmë ta vazhdojmë këtë bashkëpunim. Unë nuk mund të flas në emër të Rusisë dhe nuk kam si ta di votën që do të hedhë Rusia për rezolutën, por dua të them se ne kemi si synim të shkojmë në Këshillin e Sigurimit, të punojmë me Grupin e Kontaktit dhe me aleatët dhe partnerët tanë lidhur me këtë."

Për momentin, thotë Ndihmës-Sekretari i Shtetit Fried, ajo që dihet është nevoja urgjente për të gjetur një zgjidhje për statusin e Kosovës: "Mendoj se pas 8 vjetësh, perceptimi i përgjithshëm në Grupin e Kontaktit, dhe pa diskutim në Uashington është se populli i Kosovës ka nevojë për qartësi. Vonesat nuk do të sjellin qëndrueshmëri, përkundrazi do të rrezikojnë më tej paqen."

Zgjedhjet që ka përpara komuniteti ndërkombëtar, tha zoti Fried, nuk janë ideale, pasi zgjedhjet ideale u bënë të paarritshme që pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Alternativa që do të gjendet, thotë zyrtari amerikan, do të përmbushë këto kushte: "nuk do të kthehemi në vitin 1999 dhe nuk do të qëndrojmë ku jemi aktualisht. Prandaj duhet të shohim drejt së ardhmes dhe të zgjidhim statusin."

Por siç u pa edhe nga negociatat për status, vizioni i së ardhmes për shqiptarët dhe për serbët ka fare pak pika të përbashkëta. Megjithatë, Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit Rosmari Di Karlo, e cila ndoqi takimin e fundit mes delegacionit shqiptar dhe atij serb në Vjenë, thotë se plani ofron një zgjidhje pozitive për të dyja palët: "Kemi përpara një propozim që përmirëson jetët e serbëve dhe të shqiptarëve në Kosovë dhe do të ndihmojë për krijimin e një shoqërie shumë më të qëndrueshme atje."

Beogradi po përpiqet të nxisë komunitetin ndërkombëtar ta hedhë poshtë planin e Ahtisarit. Ditët e fundit kryeministri serb Vojisllav Koshtunica paralajmëroi se miratimi i këtij plani do të ishte precedenti më i rrezikshëm në historinë e OKB-së, duke i hapur rrugën lëvizjeve separatiste në vende të ndryshme të botës. Ndihmës Sekretari i Shtetit Fried e hodhi poshtë si të pavlerë një paralajmërim të tillë: "Kosova nuk shërben si precedent për ndonjë situatë tjetër. Ka shumë rajone në botë ku ka komunitete separatiste. Por askund në botë nuk ka një rajon të ngjashëm me Kosovën. Ashkund tjetër nuk kemi një prani të OKB-së për 7-8 vjet. Askund tjetër Natoja nuk ka ndërhyrë për të ndalur një spastrim etnik. E kemi thënë më parë dhe do ta themi përsëri se Kosova nuk shërben si shembull pararendës për asnjë rajon tjetër."

Ndihmës Sekretari i Shtetit Fried dha gjithashtu një vlerësim pozitiv të përpjekjeve të udhëheqësve shqiptarë për të mbajtur gjendjen nën kontroll dhe angazhimit të tyre për të ruajtur një Kosovë shumetnike. Zoti Fried nuk pranoi të spekulonte për një kohëzgjatje të diskutimeve në Kombet e Bashkuara, por thekson nevojën dhe angazhimin e Natos për të qëndruar në Kosovë, si një garantues i sigurisë. //ad//

XS
SM
MD
LG