Në përpjekje për të zgjidhur problemin e ndërlikuar të Lindjes së Mesme, çështja se me kë duhet të diskutosh, kë duhet të izolosh dhe sa publike mund të bëhen këto diskutime është me rëndësi të madhe. Të marrim si shembull rastin e Sirisë dhe Izraelit, që kanë qenë armiq që nga krijimi i Izraelit në vitin 1948. Këto dy vende kanë zhvilluar luftra, por edhe kanë zhvilluar bisedime për paqe, por ende nuk kanë arritur një marrëveshje. Presidenti i Sirisë thotë se ka ardhur koha për negociata pa kushte. Izraeli këmbëngul për kushte paraprake.
Për 70-vjeçarin Ramadan Ramadani, kjo është shtëpia e tij, një banesë e thjeshtë në mes të fushave me pluhur, në Quneitra pranë Lartësive Golan, dhe Ramadani dhe familja e tij kanë jetuar këtu gjatë 50 vjetëve të fundit. Ata ishin këtu në vitin 1967, kur Izraeli mori nën kontroll këtë rajon nga Siria: "Kur Izraeli vuri në shenjestër civilë, u larguam në një fshat fqinj. Kur u kthyem i gjetëm shtëpitë plotësisht të shkatërruara". Ramadani thotë se familja u largua për pak kohë, por u kthye kur mori fund konflikti. Ai thotë se nuk e ka problem që thuajse askush tjetër nuk jeton këtu. Ai flet për shtëpinë e tij të parë dhe për tokën që tani është pushtuar nga Izraeli dhe shpreson se ndoshta një ditë fëmijët e tij do të mund të kthehen atje.
Quneitra është kryeqyteti i provincës Golan të Sirisë. Pjesa më e madhe e saj shtrihet në anë tjetër të së ashtu-quajturës Vija e Kuqe, nën kontrollin izraelit. Quneitra është pjesa e tokës që Izraeli i ktheu Sirisë në vitin 1974. Dikur ky ishte një qytet i vogël plot gjallëri. Por tani, disa dekada më pas, është kthyer në qytet fantazmë. Qeveria siriane e ka mbajtur Quneitra-n në të njëjtën gjendje që e mori nga Izraeli, të shkatërruar.
Zyrtarët thonë se ky qytet shërben për të kujtuar shkatërrimet e shkaktuara nga Izraeli. Analisti politik Samir al Taqi kryeson Qendrën Orient, një grup studimor në Damask. Ai thotë se rimarrja e Lartësive Golan është një përparësi kryesore për Sirinë: "Nëse shkon drejt jugut 8 kilometra larg Damaskut, do të fillosh të shohësh pozicionet izraelite në Malin Hermon dhe askush nuk mund të qeverisë në Damask pa pasur si përparësi rimarrjen, nuk po them çlirimin, por rimarrjen e Lartësive Golan".
Siria ka zhvilluar në të kaluarën bisedime me Izraelin për kthimin e Lartësive Golan. Në vitin 1991 Damasku mori pjesë në bisedimet e Madridit për paqe në Lindjen e Mesme. Përpjekje të mëvonshme u zhvilluan në vitin 2000, pa ndonjë arritje.
Në vitet që pasuan u bë a ditur se Siria dhe Izraeli kishin zhvilluar bisedime sekrete jozyrtare në vitet 2004 dhe 2006. Ministri sirian i Informimit Mohsen Bilal i thotë Zërit të Amerikës se bisedimet sekrete nuk janë zgjidhje për problemin: "Gjithmonë kemi qenë kundër negociatave të fshehta. Ne negociojmë me nder në mes të ditës. Nuk kemi përse të kërkojmë të fshihemi. Ne jemi shumë të qartë. I filluam negociatat bazuar në rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe në parimet e Madridit – tokë për paqe".
Ministri Bilal këmbëngul se Siria është e gatshme për bisedime. Por ai thotë se Izraeli duhet të jetë gjithashtu i gatshëm për një marrëveshje dhe kjo nënkupton zbatimin e rezolutave të OKB-së për tërheqjen e plotë të Izraelit nga territoret e pushtuara.
Për Sirinë, kjo nënkupton Lartësitë Golan. Zoti Bilal thotë se duhet të arrihet një marrëveshje në një kontekst më të gjerë për rajonin e Lindjes së Mesme, ku të përfshihet zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez, i cili, thotë ai, është thelbi i problemeve të rajonit. //rd//