Udhëheqësit e Bashkimit Europian hapën në Bruksel një takim dyditësh të nivelit të lartë që synon të arrijë marrëveshje mes vendeve anëtare për të luftuar ngrohjen globale si dhe mbi strategjitë për mbrojtjen e furnizimeve me energji në Europë.
Kancelarja gjermane Angela Markel, vendi i së cilës ka kryesinë e radhës në Bashkimin Europian, po kërkon mbështetje ndaj propozimeve për shkurtimin në masën 20 përqind të sasisë së dioksidit të karbonit që çlirohet në atmosferë nga vendet evropiane brenda 13 viteve të ardhshme.
Ajo ka ofruar një pakësim prej 30 për qind për vendin e saj, nëse këtë shembull e ndjekin edhe vendet e tjera të industrializuara. Udhëheqësit e Bashkimit Europian pritet të debatojnë se si vendet e veçanta mund t’i arrijnë këto objektiva.
Kancelarja Merkel paralajmëroi për negociata të forta, ndërsa arriti sonte për të kryesuar takimin e Brukselit.
Në prag të takimit, zonja Merkel tha se vendet evropiane kanë ende mjaft kohë për t’ju kundërvenë rreziqeve në rritje të ngrohjes globale nëse merren masa menjëherë. Ajo tha gjithashtu se do ta shfrytëzojë takimin për përgatitjen e një dokumenti i cili do të paraqitet këtë muaj me rastin e 50 vjetorit të Bashkimit Europian. //ze//