Në kapitullin e raportit të Departamentit të Shtetit për Maqedoninë theksohet se është shënuar një përmirësim i vogël në gjendjen e të drejtave të njeriut krahasuar me vitin 2005, dhe një rënie në diskrimimin etnik, megjithatë mbeten një numër problemesh.
Ndër më shqetësueset në këto probleme renditen keqtrajtimet e të dyshuarve për krime nga ana e forcave të rendit, si dhe kërcënimet e pakicave etnike, veçanërisht romëve, nga policia. Korrupsioni dhe presioni politik në ministrinë e brendshme dhe atë të drejtësisë, si dhe në gjyqësor mbeten gjithashtu shqetësuese, si dhe përpjekjet e pamjaftueshme të autoriteteve për të luftuar trafikun njerëzor.
Raporti kritikon sjelljen e policisë në kapjen dhe ndalimin e të dyshuarve për krime, që në disa raste ka çuar në vrasje apo plagosje personash. Gjatë operacioneve të policisë janë raportuar edhe një numër keqtrajtimesh fizike, si rrjedhojë e përdorimit të forcës së tepruar nga policia.
Forcat policore kritikohen gjithashtu për mungesë transparence dhe për mungesë përgjegjshmërie ndaj komuniteteve të cilave u shërbejnë. Raporti i Departamentit të Shtetit kritikon përsëri Maqedoninë për kushtet e dobëta të burgjeve, që mbushin vetëm nivelin minimal të standarteve ndërkombëtare.
Në Maqedoni, gjyqësori gjatë vitit të kaluar vazhdoi të jetë një institucion i dobët, shpesh herë jo-efikas dhe i prekshëm nga presioni politik, kërcënimet dhe korrupsioni. Qeveria, thuhet në raport ka shfrytëzuar autoritetin buxhetor si instrumente për të kontrolluar sistemin gjyqësor.
Raporti thekson se zgjedhjet e 5 korrikut të vitit të kaluar ishin në përgjithësi në përputhje me standartet ndërkombëtare, por vë në dukje se në disa zona u vërejtën parregullsi serioze, si kërcënim i votuesve, mbushje e kutive dhe votime nga një individ në emër të pjesëtarëve të tjerë të familjes. Një numër incidentesh u vërejtën sidomos ndërmjet aktivistëve të partive rivale shqiptare. Po gjatë këtyre zgjedhjeve, gra nga komunitete konservatore, në veçanti nga komuniteti shqiptar, u izoluan nga procesi i votimit nga meshkuj të familjeve që votonin në emër të tyre.
Raporti vë në dukje probleme me respektimin e të drejtave të grave. Gra të komunitetit shqiptar nuk kanë mundësi të barabarta për punësim dhe arsim, si rrjedhojë e kufizimeve të traditës. Në disa pjesë të komunitetit shqiptar ka vajza që nuk ndjekin shkollën, dhe thuajse gjysma e vajzave nga pakicat nuk ndjekin mësime përtej shkollës së mesme, si rrjedhojë e mungesës së sistemit arsimor në gjuhët e pakicave.
Tensionet ndëretnike, megjithëse kanë rënë krahasuar me vitet e mëparshme, vazhdojnë të jenë problem. Shqiptarët në Maqedoni ankohen për diskriminim të përhapur zyrtar dhe për ritme të ngadalta në përpjekjet për përfaqësim të drejtë në istancat qeveritare. Shqiptarët thonë se janë praktikisht të izoluar nga diskriminimi që ekziston në vendimarrje.
Raporti i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut thekson se Maqedonia mbetet një vend destinacioni për viktima të trafikut njerëzor për prostitucion. //ad//