Lidhje

Propozimi i ri i Ahtisaarit i dorëzohet Prishtinës dhe Beogradit


I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari u ka dorëzuar sonte (të mërkurën) Prishtinës dhe Beogradit propozimin e tij të plotësuar për statusin e Kosovës.

Prishtina zyrtare e ka cilësuar si “korrekt” këtë dokument, ndërsa Beogradi e ka cilësuar atë siç thuhet, “më të keq se dokumentin e parë”. Ky propozim do të jetë temë e debateve në takimin e nivelit të lartë politikë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që do të mbahet të shtunën në Vjenë.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se propozimi nuk ka pësuar ndryshime thelbësore.

Në propozimin e ri ka madje, disa nga formulat që janë shumë mirë të saktësuara. Nuk po jap detaje sepse këtë do t'i debatojmë edhe me Grupin e Unitetit, por ajo që është me rëndësi, është se nuk ka propozime të veçanta që mund ta prishin esencën e dokumentit”, theksoi presidenti Sejdiu.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Joakim Ryker tha ndërkaq, se propozimi i zotit Ahtisaari është një rrugë e mirë për të çuar përpara procesin për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

“Vazhdoj të besoj se ajo që do të nxjerrë zoti Ahtisaari si rezultat të këtij procesi do të duhej të ishte e pranueshme për të dyja palët, nuk jam i sigurt nëse të dyja palët do ta pranojnë, por do të duhej të ishte e pranueshme”, tha zoti Ryker.

Ndërkaq, ndryshe është reaguar në Beograd. Andreja Mladenoviq, zëdhënës i Partisë Demokratike serbe, parti kjo e kryeministrit në largim të Serbisë, Vojislav Koshtunica, ka deklaruar se propozimi që është marrë sot “është më i keq” sesa ai që është dorëzuar më 2 shkurt. Ai citohet të ketë thënë se “propozimi është në pajtim, me siç thuhet, qëndrimet e separatistëve shqiptarë”.

Ndonëse qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit janë tërësisht të kundërta, diplomatët ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për qasje konstruktive ndaj procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Fried: Propozimi i zotit Ahtisaari është i barazpeshuar

Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Frid, tha sot në Prishtinë, se ekstremistët , qoftë ata shqiptarë apo serb mund t'u bëjnë shumë dëme qytetarëve të Kosovës. Ai i bëri këto komente pas takimeve me udhëheqësit më të lartë politikë në Kosovë me ç' rast ka shprehur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj propozimit të kryenegociatorit ndërkombëtar Martti Ahtisaari.

Ai tha se ky propozim nuk është i përfunduar, por është e qartë se është një propozim i baraspeshuar.

“Ai nuk i jep çdo gjë asnjërës palë, por u jep diç të dyja palëve”, tha zoti Fried, duke shfaqur shpresën se takimi i së shtunës ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të jetë konstruktiv dhe udhëheqësit e të dyja palëve do të dalin me propozime konkrete e jo “me parulla e fjalë të rrepta”.

Propozimi i zotit Ahtisaari, pas takimit të 10 marsit, do të dërgohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Duke ju përgjigjur shqetësimeve për mundësinë që Rusia të kundërshtojë propozimin, zoti Fried tha se,

Shtetet e Bashkuara kanë punuar ngushtë me rusët në Grupin e Kontaktit për një kohë të gjatë. Rusët, janë të kujdesshëm në gjuhën e tyre ndërsa është synim i qeverisë amerikane, që të vazhdojë të punojë në një frymë bashkëpunimi me rusët në mënyrë që të ecet përpara”.

Zoti Fried, i cili arriti mbrëmë në Kosovë pas një vizite në Serbi, tha se pavarësisht se çfarë do të jetë statusi i saj, Kosova duhet të jetë vend, ku të gjithë njerëzit ndjehen si në shtëpinë e tyre, ndërsa bëri thirrje kundër atyre që kundërshtojnë procesin aktual politik.

Ekstremistët dhe kundërshtarët në të dyja palët, shqiptare dhe serbe, mund t'u shkaktojnë dëme të mëdha qytetarëve të Kosovës”, tha zoti Frid, duke nënvizuar se “ky rajon ka pësuar shumë nga luftërat dhe frika e nxitur nga nacionalistët të cilët I kanë drejtuar popujt me ëndrra të rrejshme për lavdi drejt greminës dhe shkatërrimit. Tash është krijuar mundësia për t'i bërë gjërat si duhet”, tha zoti Fried.

Mikpritësit e tij ndërkaq thanë se Kosova ka nevojë për qetësi dhe qëndrueshmëri në këtë periudhë vendimtare për zgjidhjen e statusit politikë të saj.//lk

XS
SM
MD
LG