Gjeneralë amerikanë dhe rus, diplomatë dhe politikanë zhvilluan një retorikë kohët e fundit mbi një propozim të ri të Shteteve të Bashkuara për të dislokuar një sistem të ri të mbrojtjes nga raketat në Evropë. Moska është e shqetësuar se sistemi do të ketë Rusinë si objektiv. Uashingtoni thotë se sistemi është përgjigje ndaj kërcënimit të ri të raketave nga vende si Irani dhe Korea e Veriut dhe rrjetet terroriste.
Sistemi amerikan i mbrojtjes nga raketat në Evropë do të vendoset në Poloni dhe Republikën Çeke. Sipas planit raketat amerikane do të vendosen në afërsi të kufirit me ish Bashkimin Sovjetik. Duke e parë këtë fakt si kërcënues, komandanti për Forcat Strategjike të Raketave në Rusi, Nikolai Solovtsov kohët e fundit bëri një paralajmërim:“Në se qeveritë polake dhe çeke lejojnë që raketat amerikane të vendosen në territoret e tyre, Rusia do ti kthejë ato në objektiva të mundshëm”, tha zoti Solovtsov.
Duke folur në Gjermani javën e kaluar Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice shprehu keqardhje për komentet e gjeneralit Solovtsov. “Mendoj se të gjithë e kuptojnë se me rritjen e kërcënimit të raketave nga Irani, ka nevojë për mënyra për tu përballur me këtë situatë dhe ne po flasim që në një të ardhme të largët të kemi një sistem mbrojtje nga kërcënime të tilla”, tha sekretarja Rice.
Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se kapacitetet e kufizuara të sistemit të planifikuar të mbrojtjes nga raketat nuk përbëjnë kërcënim për fuqinë mbrojtëse strategjike të Rusisë.
Drejtori i Agjencisë amerikane për Mbrojtjen nga Raketat, gjeneral lejtnanti i Forcave Ajrore Henry Obering thotë se sistemi do të përbëhet nga dhjetë interceptues raketash në Evropë, 40 në Alaskë dhe katër në Kaliforni. “Sisteme të tilla duan kohë të ndërtohen. Do të duhen ndoshta tre apo katër vjet të ndërtosh qoftë edhe një sistem të thjeshtë. Nuk duhet të shohim vetëm çfarë ndodh sot për të nxjerrë përfundime. Duhet të analizojmë dhe të shohim çfarë kërcënimesh do të ketë në të ardhmen. Sistemi i mbrojtjes nga raketat është shumë i rëndësishëm pasi duhet kohë për tu ndërtuar”.
Shumë zyrtarë dhe ekspertë amerikanë theksojnë se interceptuesit e propozuar për në Evropë mund të jenë shumë të pafuqishëm për arsenalin e madh të Rusisë me raketa balistike.
John Hulsman është analist në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet e Jashtme me seli në Bonn. “Nuk besoj se ndokush mendon se ky sistem do të lejojë Shtetet e Bashkuara të kenë aftësinë e parë për të goditur rusët. Askush nuk mendon se sistemi i mbrojtjes nga raketat që po dislokojmë mund të ndalë arsenalin e madh të ish Bashkimit Sovjetik të raketave në se do të kishte shkëmbime bërthamore midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”.
Ndërsa ka një marrëveshje universale midis analistëve se politika mbrojtëse e Natos nuk duhet të jetë subjekt i miratimit nga Moska disa theksojnë se kritikat e Rusisë janë pjesërisht të bazuara në një vendim të marrë nga Natoja në vitin 1997. Richard Hunter është këshilltar i lartë në Korporatën Rand dhe ka qënë ambasador në Nato gjatë administratës së presidentit Clinton. “10 vjet të shkuara kur Natoja rinegocioi të ashtuquajturin Akt të Marrëdhënieve Nato-Rusi për zgjerimin e parë të Natos, thuhet se aleanca nuk do të dislokojë forca të tjera ushtarake për një kohë të pacaktuar në në ndonjë nga vendet që anëtarësoheshin në Nato. Rusia mund të falet në se thotë se vendosja e raketave balistike në këto vende është në kundërshtim me premtimin e Natos”.
Por ambasadori Hunter thotë se vendet e reja të Natos si Polonia dhe Republika Çeke nuk duhet të presin të hartojnë politikat e tyre të mbrojtjes kombëtare nën trysninë e Kremlinit. Sipas analistit John Hulsman, kundërshtimi i Moskës ndaj sistemit të propozuar të raketave mbrojtëse të sjell në mend Luftën e Ftohtë. “Shumë pak njerëz janë të shqetësuar se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë rrugëdalje për ndonjë shkëmbim bërthamor. Ne nuk presim që Rusia apo Kina të na sulmojnë. Por nga ana tjetër ideja se një qytet i Shteteve të Bashkuara të sulmohet nga armë bërthamore është ndoshta më e mundur sesa gjatë Luftës së Ftohtë për shkak të islamizmit radikal, al-Kaidës dhe shteteve të papërgjegjësme me strukturë dhe komanda të dobëta kontrolli për armët bërthamore”.
Zoti Hulsman thotë se duke ofruar të ndërtohet një sistem të mbrojtjes nga raketat në Evropë, Polonia dhe Republika Çeke kanë shtrënguar duart me Shtetet e Bashkuara që kanë marrë rolin drejtues ndaj kërcënimit të madh të sigurisë në periudhën e pas Luftë së Ftohtë, veçanërisht për ndalimin e përhapjes së armëve bërthamore në vende dhe grupe që nuk duhet ti kenë ato. //rd//